Flash

Tirana e rrënueshme

Lapsi.al 20 May 2017
Tirana e rrënueshme

Tirana që gjeta këtë herë m’u duk edhe e mbipopulluar, edhe e shkretë.

E mbipopulluar, sepse nga dritarja e avionit, dhe më pas në tokë, ky qytet duket sikur po përfshin në vetvete krejt ultësirën perëndimore, duke tërhequr në gjirin e vet Shqipërinë mbarë, si të ishte Amerika e Statujës së Lirisë (“Give me your tired, your poor, your huddled masses yearning to breathe free”).

E shkretë, e djerrë, e rrënuar, e braktisur – sepse troje të mëdha në qendër të Tiranës dhe përreth kanë mbetur ashtu, troje; sikurse edhe kulla të larta që sundojnë vijën e qiellit kanë mbetur të zgavërta, të pambaruara, kushedi të pambarueshme.

Këtë përshtypje vetëm sa e rëndon platforma e dystë, verbuese dhe përvëluese mu në zemër të qytetit, e cila pas pak ditësh do të pagëzohet si sheshi i ri Skënderbej.

Sikurse e dimë tashmë, Tirana ka pasur nga një shesh Skënderbej për çdo dinasti që i ka rënduar në zverk.

Mu afër qendrës, duke filluar pak a shumë nga blloku ku gjendej dikur statuja e Enver Hoxhës, për të vazhduar me mëhallën midis rrugës Kajo Karafili dhe rrugës së Durrësit dhe me mëhallën tjetër midis rrugës Kont Urani dhe rrugës së Bogdanëve, nuk sheh veçse gërmadha qerpiçi dhe vjetërina; pa lënë këtu jashtë as godinën ende të bukur, por drejt amortizimit, të ish-Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, ose të ish-Ministrisë së Kulturës.

Veçanërisht, rruga Kont Urani, një krah i tërë i së cilës është zbrazur nga banorët (krahu ku gjendet edhe ndërtesa e hijshme e ish Institutit të Kulturës Popullore), tashmë do të kish zënë vend mirë diku në Aleppo ose në Mosul: ndërtesat dy dhe tri-katëshe tashmë janë shkatërruar, dhe mes gërmadhave nuk po lind gjë njeriu i ri, por vetëm lulëzon tregu i GABI-t, pirgjet e plehrave disa-vjeçare dhe gjithfarë bimësie oportuniste.

 

Sikur të mos mjaftonte kaq, kësaj rruge acari i dimrit të vjetshëm ia thau, me lulet që u kanë mbetur ende në degë, të gjitha mimozat që dikur e parfumonin për të lajmëruar ardhjen e pranverës dhe zhveshjen e përgjithshme të vashave.

Po kjo atmosferë post-apokaliptike nuk ndeshet vetëm te kjo lagje, dikur nga më të ëmblat e Tiranës. Ngjitur me Galerinë e Arteve fillon një tjetër Çernobyl, me ngrehinën e ish-hotel Dajtit[1] dhe trojet përreth, ku harliset bimësia e egër e Mesdheut; dhe më tej me Piramidën, tashmë të shndërruar me detyrim në cenotaf, dhe parkun përreth, i cili ndalon pastaj, si përpara një fushe force, tek e bardha sterile e Kryeministrisë.

Këtë boshësi ulëritëse e kundërpeshon, nga ana tjetër e bulevardit, karabinaja e ajruar mirë e kullës 4Ever-Green, tashmë prej vitesh në romancë idilike me vinçin përbri; tiranasit janë mësuar ta shmangin këtë lemeri nga fushëpamja, dhe nuk do të jetë e largët dita kur edhe fotografët do ta fotoshopojnë nga Tirana skyline, njëlloj si klika e Pyonyang-ut, në Korenë e Veriut, e heq nga fotografitë karkasën e përbindshme të hotelit Ryugyong, këtë piramidë të pambaruar, 330 m të lartë; derisa kushedi të vijë dita që vetë ndërtesa, si monument i planëzimit të keq, grykësisë dhe spekulimit, të tërheqë spektatorët dhe vizitorët e vet.

Pamje çasti nga videoloja “Tirana – SimCity”

Nuk di si e quajnë sot tiranasit këtë përbindësh që u kanë sjellë në qytet – unë i pata thënë “goxilla” dikur, por unë kam luksin të mos jetoj me të e të mos e përshëndes çdo ditë; edhe pse duhet pranuar se, nga afër, kjo gërdallë të mahnit me gjestin e saj sfidues prej balerine, me shpengimin me të cilin i vërsulet qiellit; pa çka se pastaj nuk arrin dot asgjë, dhe mbetet ashtu siç ishte, një katakomb vertikal për qytetin, që me dritaret e gjëra çuditërisht të zeza duket sikur e mban, madje e burgos në vete errësirën.

Te një artikull në monitor.al (Qiellgërvishtësit në Tiranë, ndërtuesit paralajmërojnë flluskën) lexova për frikën se këto kulla të pajës së vonuar të kryeqytetit nuk do të shfrytëzohen dot kurrë, në kapacitetin e tyre[2]; edhe pse artikulli merrte parasysh jo vetëm kullat ekzistuese, por edhe ato që kanë mbetur në tentativë si kjo e Archea-s dhe të tjera që janë paralajmëruar se do të ndërtohen – që nga ajo e stadiumit të ri, tek një tjetër prapa hotel Tiranës, dhe kushedi çfarë akoma.

Ndoshta ndërtuesit e kullave janë mësuar t’i përfytyrojnë ato si makina për t’u banuar, ose në kontekstin e vlerës së tyre të përdorimit; por unë dyshoj se të gjithë ata pushtetarë, që i kanë nxitur këto kulla dhe kanë dhënë miratimin për ngritjen e tyre, i kanë menduar ashtu siç ato meritojnë të quhen: obeliskë që kremtojnë pushtetin; dhe veçanërisht pushtetin kaq modernist (në mos fashist) të kryeqytetit ndaj qytetit, të forcës ndaj delikatesës, të fasadave ndaj konvivialitetit.

Duke u munduar t’i gjej një emër kësaj që shoh të ndodhë sot në Tiranë, më shkon në mendje de-çiftimi i hapësirave nga qytetarët, ose hiper-estetizimi i hapësirës urbane; me fjalë të tjera, shndërrimi i Tiranës nga vend i jetueshëm dhe kontekst i vetëdijes kulturore elitare të Shqipërisë, në një skenografi ku të luhen dramat e pushtetit dhe të përplasen ambiciet e oligarkëve, pastruesve të parave, spekulatorëve ndërtimorë dhe starkitektëve egomaniakalë, së bashku me ata të tjerët, që ua marrin seriozisht vizionet dhe makthet e ndërkryera.

Vetëm kështu mund ta shpjegoj disi shkatërrimin total që ia kanë bërë qendrës tradicionale të qytetit tim, shkatërrim që vjen edhe konfirmohet deri në dhimbje, nga ato pak ndërtesa që i kanë mbijetuar me thonj e me dhëmbë – si Teatri i Kukullave, Banka e Shtetit dhe Teatri Popullor; dhe ndoshta edhe Pallati i Kulturës, që çdo ditë e më tepër merr pamjen e një autobusi të parkuar keq.

Obeliskët janë vetëm njëra simptomë madhore e pushtetit të kryeqytetit ndaj qytetit si një formë sadizmi anti-urban; simptoma tjetër ka të bëjë drejtpërdrejt me licencën për të shkatërruar – meqë në duart e atyre që munden, shkatërrimi i sotëm nuk është veçse premtim joshës për ngrehinën e nesërme; gropa e sotme ngashënjim për kullën e nesërme; parku i sotëm ravijëzim i parking-ut të nesërm (a nuk tingëllon tani fatalisht ironike që fjalët park dhe parkim/parking kanë të njëjtën temë?). /peizazhe te fjales/

Të këshilluara

Basha e përdhosi çadrën

Rreth Lulzim Bashës po tubohen me shpejtësi dy grupime të ndryshme nga njëri- tjetri, që kanë një qëllim të përbashkët: të justifikojnë marëveshjen e turpshme p...

15:11

Bashës i duhet edhe një “armik”

Lulzim Basha rrezikon që në orët e ardhshme të fitojë edhe një armik më shumë. Nëse ai i thotë jo propozimit të fundit amerikan, atij të zv/sekretarit të shteti...

21:39

Pse Basha hoqi dorë nga dhuna?

Sot ishte paralajmëruar dita e qametit. Të gjithë kundërshtarët e PD e kishin kërcënuar atë të mos thyente asnjë xham. Si rrallë herë më parë ambasadat më të rë...

12:33

Kriza dhe agai i katundit politik

Vendimi i opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, po paraqitet nga kryeministri dhe organet e tij propagandistike, si n...

07:10

Për Muç Nanon dhe "ëngjëllin" Basha 

Lexova sot një shkrim të Muç Nanos, për konfliktin Rama - Basha dhe për rolin e ekzagjeruar që më jepte mua dhe disa zërave të tjerë publikë, që sipas tij i hid...

06:11

Pse duhet falenderuar Edi Rama

Sot jam i bindur se shumëkush mund ta quajë Ramën një frikacak. Sot jam i bindur se të tjerë do ta asociojnë vendimin e tij për t'u tërhequr nga Kavaja, me ...

16:26

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI