Flash

Cilat ishin dosjet e Sigurimit të Shtetit

Lapsi.al 9 May 2017
Cilat ishin dosjet e Sigurimit të Shtetit

Nga Kastriot Dervishi*
Nisur nga fakti i përmendjes shpeshherë i fjalisë “të hapen dosjen” pa e pasur të qartë se për çfarë konkretisht bëhet fjalë, po shpjegoj në mënyrë të përmbledhur llojet e dosjeve që përdoreshin dikur në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nga dendësia e informacionit që kanë, po shpjegoj shkurt vetëm ato më kryesorët si dhe po përmend llojet e tjera të dosjeve. 
Dokumentet mbi aktivitetin e përditshëm të drejtorive dhe reparteve të MPB-së i gjejmë në dosjet që kanë dalë nga sekretari-arkivat e kësaj ministrie. Ndërsa dosjet që i takojnë rrjetit sekret dhe personave të ndjekje kanë rrjedhur nga kartoteka qendrore (Dega e 4-t e Drejtorisë së Parë) dhe kartotekat e degëve të punëve të brendshme në rrethe. Dosjet e mëposhtme janë qenë subjekt i Degës së 4-t dhe kartotekave. Ndërsa mjete informimi janë regjistrat dhe kartelat.

Llojet e dosjeve të bashkëpunëtorëve (rezidentë, agjentë, informatorë, strehues):
-Dosje personale, në të cilën shënoheshin gjeneralitetet, plani i rekrutimit, biografia, betimi, pseudonimi, etj.
-Dosje pune, në të cilën vendoseshin të gjitha raportet informative të bashkëpunëtorit.

Dosjet që hapeshin për personat që ndiqeshin:
-Dosje e përpunimit aktiv 2A, për gjithë personat mbi 14 vjeç, shqiptarë ose të huaj për të cilët kishte të dhëna për veprimtari “armiqësore” (agjitacion e propagandë, orvatje për arratisje, diversion, spiunazh, etj) ose keqbërëse (vjedhje, vrasje, etj).
-Dosje e kontrollit operativ 2B, për gjithë personat mbi 14 vjeç, shqiptarë ose të huaj, me të kaluar “armiqësore”, por që nuk e ushtronin më këtë veprimtari. 
-Dosje e përpunimit paraprak (PP), për gjithë personat mbi 14 vjeç, shqiptarë ose të huaj, për të cilët kishte të dhëna për veprimtari “armiqësore” ose keqbërëse.
-Dosja agjenturore, për një grup personash që zhvillonin veprimtari “armiqësore” e keqbërëse, me kushtin që dy prej tyre të ishin në përpunim 2A. Këto lloj dosjesh njiheshin me pseudonim (p.sh. “Bloza”, “Bataku”, etj).
-Dosje e problemit të centralizuar, krijohej për ngjarje ose objekte me rëndësi të veçantë operative.

Llojet e dosjeve për krimet pa autor:
-Dosja e kërkimit
-Dosja e zbulimit të autorit
-Dosja e informatave

Llojet e dosjeve për evidencimin dhe kontrollin e shtetasve shqiptarë ose të huaj me interes operativ:
-Dosja e të arratisurit 
-Dosja për të arratisurin me aktivitet
-Dosja e shoferëve të huaj me aktivitet
-Fashikulli i të internuarit 
-Fashikulli i të huajve me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri
-Fashikulli i shkelësve të kufirit 
-Fashikulli i emigrantit 
-Fashikulli i personit që arrestohet e dënohet pa qenë në përpunim

Dosjet e objekteve:
-Dosje e objektit të rëndësisë së veçantë (ORV)
-Dosje e objektit të përfaqësisë diplomatike e tregtare

Dosjet e zbulimit dhe parandalimit:
-Dosja e drejtimit të kundërzbulimit
-Dosja e drejtimit për ruajtjen e reparteve të MPB-së 
-Dosja e drejtimit të ekonomisë
-Dosje e drejtimit për ruajtjen e forcave të armatosura 
-Dosje e drejtimit grupimeve kundërrevolucionare
-Dosje e drejtimit për ndjekjen e krimeve (vetëm nga Policia). 
-Dosje e drejtimit për mbrojtjen e ekonomisë socialiste (vetëm nga Policia)

Regjistrat:
-Regjistri i përpunimeve “Model 1”, në të cilin evidencoheshin të gjithë personat në përpunim 2A dhe 2B nga degët e punëve të brendshme dhe Sigurimi i Ushtrisë. Në Degën e 4-t hidheshin të gjitha të dhënat e përpunimeve. Përpunimet PP nuk shënoheshin, veçse në rastet kur personi ngrihej në përpunim 2A ose arrestohej.
-Regjistri i bashkëpunëtorëve, “Model 2”, në të cilin evidencoheshin bashkëpunëtorët nga Sigurimi e Policia.
-Regjistri i kontingjenteve, “Model 3”.
-Regjistri i evidencimit të regjistrave, “Model 4”.
-Regjistri i dosjeve dhe fashikujve, “Model 9”, në të cilin evidencohen dosjet e drejtimit ORV, ambasadave, zbulimit të autorit, etj.
-Regjistri i dosjeve dhe fashikujve të arkivuar, “Model 10”.
-Regjistri i dosjeve të centralizuara e agjenturore, “Model 11”.
-Regjistri i personave të riatdhesuar, “Model 13”.
-Regjistri i dosjeve penale, “Model 15”, për dosjet hetimore-gjyqësore.
-Regjistri i shkelësve të kufirit, “Model 16” (nga jashtë-brenda).
-Regjistri i personave të internuar apo dëbuar, “Model 17”.
-Indeksi i informatave, “Model 5”, në të cilin evidentoheshin personat që kishin dhënë informacione për Sigurimin dhe Policinë.
-Indeksi i personave të këshilluar apo demaskuar, “Model 7” (përjashto anëtarët dhe kandidatët e PPSH-së).
-Indeksi i të arratisurve “Model 14”, (në shkallë rrethi).
-Indeksi i të bashkëpunëtorëve nga të dënuarit “Model 25”.
-Lista e personave me tendencë arratisjeje “Model 16” (alfabetike).
-Lista e lidhjeve familjare të të arratisurve “Model 12”.

Kartelat: 
-Kartela “Model 1”, për personat që ndiqeshin
-Kartela “Model 2”, për bashkëpunëtorët
-Kartela “Model 3”, për kontingjentet
-Kartela “Model 4”, për të arratisurit
-Kartela “Model 5”, për shtetasit e huaj me qëndrim në Shqipëri
-Kartela “Model 6”, për shqiptarët që takohen me shtetas të huaj
-Kartela “Model 6A”, për shqiptarët që mbajnë korrespondencë me të huajt apo me të arratisurit
-Kartela “Model 7M”, për shqiptarët që mbanin lidhje me të arratisurit

*Ish-Dretor i Arkivit te Shtetit

Të këshilluara

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

430 mijë dollarë për lobim, Erion Veliaj kërkon aleatë në Washington

Dokumentet e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, tregojnë se fushata e lobimit për llogari të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, u fokusua te komunikimet me institucionet amerikane lidhur me financimet për SPAK, si dhe te kontaktet me përfaqësues të Kongresit dhe organizata joqeveritare.

12:22

Me sytë katër

PAPARAZZI