Flash

De Biasi, fillimi i fundit

Lapsi.al 26 March 2017
De Biasi, fillimi i fundit

Gianni de Biasi po kalon çastet më të vështira që nga dita që u vu në krye të kombëtares shqiptare, gjashtë vite më parë. Të premten në Palermo, ai arkivoi humbjen e tretë radhazi, gjë që nuk kish ndodhur kurrë gjatë erës së tij.

Por, tekniku italian nuk duket i rrezikuar vetëm nga zinxhiri i rezultateve të dobëta. Imazhi i tij nuk po tronditet as nga shija e lojërave të këqia, si ato kundër Spanjës në Shkodër apo Izraelit në Elbasan.

Mbi të po rëndon një tjetër mallkim.

Pikërisht ai që ka qenë pika e tij më e fortë. Ai që ka qenë themeli i suksesit të tij: forca e grupit.

Kur Giani De Biasi mori në vitin 2011 drejtimin e të kuqve, ai iu drejtua futbollistëve me një letër. Shumë më vonë mediat e rimorën këtë tekst frymëzues duke shpjeguar me anë të tij, kyçin e kualifikimit në Euro 2016. Aty, italo- shqiptari, atëhere ende i pakonvertuar në nacionalitetin tonë, u shkruante lojtarëve të vet: “Që të bëheni të mëdhenj, që të bëheni heronj, besoni vetëm tek një gjë: tek fakti se duhet të bëheni një grup”.

Eshtë pikërisht ky grup që duket se po punon sot kundër atij që e formëzoi, e skaliti, e ideoi dhe e bëri të radhitet mes më të mirëve të Europës.

Rasti i fundit i Taulant Xhakës, mënyra se si ai i përplasi derën në fytyrë trajnerit, se si u largua nga grumbullimi dhe se si në fund foli publikisht për një drejtues, që më tepër sesa Shqipëria i interesojnë paratë (lexo poshtë), tregon shumë.

Sepse ajo që ndodhi nuk mund të barabitet thjeshtë me tekat e një emigranti të pasuruar shpejt, që nuk di të kontrollojë famën e vet. Ajo nuk mund konsiderohet vetëm si paranoja e një lojtari që nuk luajti në Palermo dhe gjeti rastin të shpërthejë pas humbjes. Ajo nuk mund të nënvleftësohet si një përplasje rutinë në gjaknxehtësi e sipër, mes një trajneri që do të drejtojë me dorë të hekurt dhe një futbollisti me temperament të axhituar që nuk di të vetëpërmbahet.

Fakti se i madhi i vëllezërve Xhaka, u soll në mënyrë aq demonstrative dhe pastaj foli publikisht aq hapur dhe aq rëndë, tregon se diçka brenda asaj skuadre është thyer. Rasti i Taulantit nuk mund të krahasohet me sherret e mëparshme të trajnerit me Mehën, Rashicën, Kaçën, Vangjelin apo Ramën. Ai është një nga ikonat e kësaj skuadre, një lojtar simbol i adhuruar nga tifozeria, i duartrokitur për shpirtin e tij luftarak dhe ndjenjën e sakrificës.

Pra, kur një lojtar me këtë aureolë riskon ta braktisë skuadrën, kur ai guxon të shkojë aq larg në polemikën e tij publike, kjo tregon se fryma e grupit ka marrë të krisur përfundimisht. Kur një pjestar i skuadrës me staturën e tij e rrëzon murin e heshtjes, kjo tregon se diçka e pakthyeshme ka ndodhur. Nuk është çudi që fenomeni të përsëritet.

Dhe pikërisht për këtë, ky rrezikon të jetë fillimi i fundit të De Biasit.

Tekniku italian ka pasur jo pak armiq në tokën tonë. Ai është rasti tipik i talentit që zbarkon nga një vend i huaj në provincë, arrin me punë dhe me durim suksesin, në një kohë që të gjithë e tallin, e përqeshin, e shohin me mosbesim dhe, pastaj, pasi triumfon, për paradoks kritikët i shtohen sepse pikërisht tek ai shikojnë të projektuar dështimin e tyre të mëparshëm.

Kështu ka ndodhur edhe me italo- shqiptarin “Gianni... o xhan”.

Vetëm pasi ai arriti të korrë një sukses të pamenduar ndonjëherë për futbollin shqiptar, sulmet ndaj tij u shtuan. Shigjetat plot helm nuk rreshtën, si nga servilët e presidentit brenda federatës, si nga ish drejtuesit e mëparshëm të kombëtares, si nga komentatorë e analistë sportivë, që nuk duronin dot përgënjeshtrimin që ai u kishte bërë tezave të tyre.

Por si me magji, sa më shumë i rriteshin “armiqtë”, aq më i fortë bëhej Gianni De Biasi.

Dhe kjo e kishte një sekret. Sepse ai kishte arritur të ngrinte një grup. Sepse ai kishte formëzuar një ekip që besonte tek ai. Sepse ai kishte farkëtuar një skuadër që ashtu siç pati shkruar në letrën e famshme të shtatorit 2011: “Fillimisht dinte të mbronte veten dhe pastaj të mendonte të fitonte”.

Fitoret tani mungojnë prej kohësh. Humbjet po koleksionohen njëra pas tjetrës. Por megjithatë kjo nuk përbën hallin e vetëm për De Biazin.

Disfata e tij më e madhe lidhet me faktin se grupi i tij rrezikon të kriset. Përplasja e derës që bëri këtë fundjavë Taulant Xhaka është një paralajmërim i keq. Eshtë një nga ato ngjarje që mund të shenjojnë fillimin e fundit të një epoke. /Lapsi.al/

 

Të këshilluara

Hija e Erdoganit mbi Tiranë

Më në fund Edi Rama e theu edhe një tabu. Ishte betuar me veten dhe të tijët që nuk do t’i përgjigjej publikisht Ben Blushit. Disa thonin se e kishte marrë këtë...

14:42

Rama, marshimi i vetmuar drejt fundit

Kryeministri hipotetik, i qeverisë hipotetike teknike, me siguri që ditën e parë të punës do të çmontonte koshin e basketbollit mbi derën e zyrës dhe do të lyen...

08:53

Nishani “fali” Xhafën dhe goditi Bashën

Ndryshe nga pritshmëritë e krahut që mbështet Lulzim Bashën në PD, Bujar Nishani ka vendosur të mos e përfshijë presidencën në strategjinë e thellimit të krizës...

18:36

Rama duhet të qeverisë pa Metën

Në Shqipëri, sulmi i të shëmtuarës është bërë i padurueshëm. Politikanët dhe politika brenda botës së tyre, jo vetem që nuk përpiqen të jenë të&n...

10:08

Kurbani Saimir për sulltanin Ilir

Edi Rama ka bërë përpjekjen e tij më të mjerë që nga dita kur ka marrë mandatin e kryeministrit, duke improvizuar një kabinet të ri, 100 ditë përpara zgjedhjeve...

20:28

Fasada e Ramës po kriset

 “Qeveria teknike është kusht i patjetërsueshëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për t’i hapur rrugë zbatimit të reformës së vërtetë n...

14:15

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI