Flash

Fitorja e fundit e Driteroit ndaj Kadaresë

Lapsi.al 7 February 2017
Fitorja e fundit e Driteroit ndaj Kadaresë

Lamtumira e fundit që iu dha Dritero Agollit, bilanci i shpejtë që u bë në ditët e ikjes së tij, nuk rihapi në Shqipëri (me ndonjë përjashtim të rrallë) të gjitha dilemat dhe pasionet, që ngërthejnë ata njerëz që kanë jetuar në dy kohë aq kundërthënëse me njëra -tjetrën. 

Po t'i hidhje një sy të kujdesshëm mediave tona, debatit që gëlonte në rrjetet sociale, më shumë reagime do të gjeje për shkrimtarin që vazhdoi veprën e Naimit, për fisnikun që u njesua me shqiptarin e thjeshtë, për poetin që vizatoi Shqipërinë e përjetshme, sesa për njërin prej korifejve të socrealizmit tonë. 

Megjithëse Dritero Agolli ka qenë për gati çerekshekulli në krye të një institucioni levë të partisë, si Lidhja e shkrimtarëve, megjithëse ai është zgjedhur për vite me radhë, deputet dhe anëtar i Komitetit Qëndror të PPSh, atij më shumë iu përmend fjala e mbajtur në ditën e vdekjes së Partisë së Punës dhe përballja ekstreme me komunistët nostalgjikë.

Megjithëse ai njihet si propogandisti që çoi me një trastë leshi nën gunë dheun e ideologjisë në Lidhje (Devoll, Devoll), megjithëse ai i thuri himn udhëheqësit që thoshte se do të hanim dhe bar për për të mbrojtur nderin e nënës (Nënë Shqipëri), megjithëse ai bëri qindra mijra vetë të shkreheshin ne lot me Elegjinë për Enver Hoxhën (Falmë, Enver që frymë dot s'të dhashë/Nga kjo frymë e gjallë e gjoksit tim/Zemrën time do ta nxirrja jashtë/Të ta jepja Ty me ngazëllim) u duk se Agolli nuk qe krijuesi i këtyre vargjeve që i thurnin lavde diktaturës së proletariatit.

Dhe këtu është tejet interesante të shihet se si kjo dukuri që u vu re këto ditë, por që e shoqëroi për dy dekada e gjysëm atë, bie në një kundërthënie që duket absurde, me atë që i ka ndodhur shkrimtarit tjetër të madh të 30 viteve të fundit të komunizmit, Kadaresë. 

Pavarësisht se në duelin e paepur për mbizotërimin e skenës letrare, të këtyre dy përçuesve të vijës së partisë, Driteroi qe ku e ku më i ideologjizuar se Ismaili, shumë më pranë parimeve Zhdanoviste të Realizmit Socialist, tepër më konform vijës së partisë, në procesin që i është bërë atyre pas viteve '90, ky raport duket i përmbysur.

Kadaresë i është kërkuar gjithnjë më tepër llogari nga kritika, i është qëmtuar gjilpëra në kashtë nga mediat, i është kaluar në filigran e gjithë jeta dhe vepra artistike, deri tek ndonjë varg rinor për Stalinin.

Natyrisht, "Shqiponjat fluturojnë lart" dhe "Pse mendohen këto male" si poema, portreti i Enver Hoxhës tek romani  "Dimri i vetmisë së madhe" i kanë shërbyer dhe janë përdorur nga propaganda e regjimit komunist më shumë se çdo krijim tjetër, natyrisht që edhe vetë lideri komunist e kuptoi se portreti që i kishte vizatuar Kadare, e bënte atë më simpatik për perëndimin, sesa të gjitha veprat e tij të përkthyera së bashku, prandaj ai u investua në famën botërore të shkrimtarit, por sërisht, kjo nuk e bën sot Ismailin të duket më pranë regjimit sesa rivali i tij i përjetshëm.

Për këdo që ka jetuar në atë kohë, dhe që ka pritur me kërshërinë e pasioneve rinore botimet e reja të këtyre dy shkrimtarëve, një gjë ka qenë gjithnjë e qartë, Driteroi përfaqësonte sistemin, ndërsa Ismaili pikpyetjet mbi të, i pari zbriste frymën e fshatit në qytet, ndërsa i dyti tentonte ta arratiste qytetin në perëndim, njëri qe i fuqishëm, por ama i drejtëpërdrejtë, ndërsa tjetri shpesh alegorik, me disa shtresa dhe me shumë nënkuptime. 

Edhe po të analizojmë veprat e tyre më "heretike", ato që sot dikush tenton t'i shesë për shumë më tepër seç janë, bëmat e shokut Zylo kundër burokratëve, nuk mund të krahasohen kurrë me ngrehinën prej demiurgu që Kadare ndërton tek "Pallati i ëndrrave".

Pra shkurt, për ne lexuesti e asaj kohe, në rivalitetin etern mes dy shkrimtarëve, garën e të qenit më pranë vijës së partisë, atëhere e fitonte pa diskutim Dritero Agolli.

Po pyetja është se pse ky raport u përmbys në kohën e re?

Pse shpesh të gjithë kanë tentuar të vënë në bankën e të akuzuarve Ismailin dhe i kanë "dhuruar" më shumë paqe dhe qetësi bashkëkohësit të tij.

Natyrisht një përgjigje e kësaj pyetjeje do të gjendej tek talenti dhe gjenialiteti, që sa më të mëdha që të jenë, aq më pasoja krijojnë për njeriun që i mishëron.

Por, raporti i zhbalancuar në gjykimin e rolit të dy shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë moderne shqiptare, nuk lidhet vetëm me andrrallat që burojnë nga forca krijuese e gjithësejcilit.

Ajo duhet kërkuar në tjetër shkak.

Ajo duhet qëmtuar në qëndrimet që ata mbajtën pas rënies së regjimit.

Ndryshe nga Kadare, Driteroi nuk organizoi kurrë taborë të tërë për të propoganduar se ai kishte qenë kundërshtar i komunizmit, ai nuk përmendi kurrë histori me tentativa arratisjeje nga feri i diktaturës, ai nuk tregoi kurrë për vepra "anti" që i kishte mbyllur në kasaforta që do të hapeshin në ditën që regjimi do të binte, ai nuk guxoi kurrë të shkonte deri aty, sa të pretendonte se me vargjet e tij të ndjera, i kish propozuar një maskë udhëheqëit shqiptar, për ta bërë atë më të mirë për shqiptarët.

Jo. Ai vendosi të përballet me furinë e përmbysjes, duke dashur të ruajë koherencën.

Nuk qe e rastit që në një nga poezitë e tij të botuara së fundi ai shkroi: " Nuk jam nga ata të stisur poetë/Që jetën e tyre me laps redaktojnë".

Pra, ndryshe nga Kadare, ai bëri paqe jo vetëm me të shkuarën e tij por dhe me anët e saj më të errëta.

Ai e vuri këtë bast.

Dhe është kjo zgjedhje që i dhuroi atij, një qasje më zbutur të kritikëve, në pjesën e tretë të jetës dhe një mirëkuptim falës, pas ndarjes prej saj.

Eshtë pikërisht ky raport me të vërtetën, që i kurseu atij, shumë nga furitë dhe akuzat herë herë të ekzagjeruara, me të cilat Ismaili u përball këto 25 vite.

Natyrisht, kjo ishte fitorja e tij e vogël, kundër rivalit të përhershëm. Një fitore që ndonëse nuk dihet sa do të rrezistojë në kohë, i siguroi atij, empathinë e bashkëkohësve. (Lapsi.al)

Të këshilluara

Llalla një vegël antiamerikane

“Pas Luftës së Dytë Botërore, një kamion i UNRRA-s, një agjencie ndërkombëtare të dominuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që shpërndante ndihma në vendet e...

22:19

Çfarë tregon sherri Top Channel - Basha?

Kryetari i opozitës i është vërsulur të shtunën televizionit më të madh në vend për një lajm që sipas tij ishte thjeshtë mashtrim. “Fake News”, që kishte p...

23:26

Dy sharlatanë si Rama dhe Thaçi

Hashim Thaçit dhe Edi Ramës nuk ka më kuptim që t'iu referohemi me pozitat e tyre politike, ose shtetërore. Nuk mund të flasim më për Kryeministër dhe President...

22:58

Ç'farë rrezikon bota me Trump?

Ekspertët e ekonomisë zakonisht i japin parashikimet e tyre (tradicionalisht të pasakta) për vitin e ri në fillim të janarit. Por kushtet globale këtë vit janë ...

09:40

Pse mori zemër Llalla?

Deklarata e sotme e Adriatik Llallës është padyshim më e forta që ndonjë drejtues institucioni në Shqipëri ka adresuar kundër Ambasadës Amerikane, që prej akuza...

14:02

Rilindja, po qelbet nga Koka

Në çdo vend normal të kësaj bote, një kryeministri që do të dëgjonte anëtarin e kabinetit, të shpërthente në ekran ashtu siç bëri dje Lefter Koka, do t’i mbetej...

07:38

Pse e kërkon Meta arrestimin e Balilit?

Ilir Meta ka hapur një debat të fortë këtë mesjavë duke i kërkuar presidentit Nishani, mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, lidhur me mosarrestimin e “E...

09:26

Trump si armik i armikut

Partitë politike dhe mbështetësit e tyre mediatikë në Shqipëri e kanë pritur fitoren e Trump-it ndryshe nga ç’kanë pritur zgjedhje të tjera presidenciale në SHB...

16:58

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI