Flash

Rilindja, po qelbet nga Koka

Lapsi.al 28 January 2017
Rilindja, po qelbet nga Koka

Në çdo vend normal të kësaj bote, një kryeministri që do të dëgjonte anëtarin e kabinetit, të shpërthente në ekran ashtu siç bëri dje Lefter Koka, do t’i mbetej vetëm një rrugë: t’a shkarkonte automatikisht.

Por, megjithëse ministri i mjedisit foli për kostot që partia e tij po merr nga bashkëqeverisja me PS, lëshoi alarmin për policinë që po përgatitet të vjedhë zgjedhjet, akuzoi për fondet marramendëse që Rilindja urbane ka shpenzuar në Durrës dhe konfirmoi akuzat e opozitës për kanabizimin e vendit (lexo poshtë/Lapsi.al), atij me siguri nuk do t’i hyjë ndonjë gjemb në këmbë.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë, se ne kemi një kryeministër zemërgjerë dhe tolerant.

Larg asaj.

Për shumë më pak se kaq, ai e margjinalizoi në PS dhe madje e cënoi edhe fizikisht Ben Blushin. Për kritika tejet më të buta, ai e përjashtoi mikun dhe ish gurunë e tij, Kokëdhimën, nga forumet e partisë.

Por, me LSI-në ndryshon puna.  Shigjetat e saj  e kanë kapur Ramën me shpatulla për muri.

Ai nuk ka ç’i bën Ilir Metës që i nxorri bojën me kërkesën për të thirrur Komisionin Kombëtar të Sigurisë, për mosarrestimin e Balilit.

Ai nuk ka ç’i bën Petrit Vasilit që e tall publikisht duke kërkuar garanci tek administrata e Trump për mosprekjen e zgjedhjeve të 18 qershorit.

Ai nuk ka ç’i bën njeriut që e ka shndërruar në gazin e botës, ministrit të vet Ylli Manjani, i cili kërkoi futjen e ushtrisë për të na shpëtuar nga kanabisi.

Për hir të pushtetit Edi Rama po zvarriset kokëulur pas LSI-së.

Mjafton për të kthyer sytë pas, në marëdhënien tre vjeçare me vëllezërit e vet armiq të së majtës, për të kuptuar se deri në ç’pikë ka degraduar kryerilindasi.

Kush e mban mend fillimin e koalicionit të 1 prillit, kritikat kundër Ramës ishin të tjera. Atë e akuzonin se duke u lidhur me Metën po tradhëtonte “kokpalarët” që e kishin mbështetur në 21 janar. Atë e fshikullonin se qe aq i dëshpëruar për pushtet, sa po pranonte të bashkëqeveriste me njeriun e kapur me bllok në dorë. Atë e përbuznin se po thyente zemrat e majta duke katapultuar në qeveri, gati gjysmën e kabinetit të Berishës.  

Ndërsa tani, në fund të mandatit, gjërat kanë ndryshuar radikalisht. Tani partia e Metës e akuzon aleatin e vet, se po vjedh me koncesionet dhe Rilindjen urbane, se po kërkon ta mbushë Shqipërinë me plehra nga jashtë pasi e ka dëndur me kanabis, se është i lidhur me kriminelët dhe trafikantët, se po kërkon të manipulojë zgjedhjet me polici dhe ta prishë Tiranën me Uashingtonin.  

Po, po, rolet janë përmbysur aq shumë, sa Rama nuk mund të dalë më dhe të na premtojë formulën qesharake të sistemit që përmirëson njerëzit. Nëse vërtet do të kishte qenë kështu, sot do duhet të pranonim se gjatë këtij mandati, Rilindja jo vetëm ka përkeqësuar LSI-në, por ajo ka telendisur edhe veten.

Por, në fakt, e vërteta është më e thjeshtë.

Në Shqipëri debati nëse fajin e ka njeriu apo sistemi, i ngjan përleshjes luksoze për seksin e ëngjejve.   

Historia e dekadave të fundit na ka yshtur të besojmë një mësim më praktik: se këtu peshku qelbet nga koka.

Dhe aq e vërtetë është një gjë e tillë sa më në fund atë e kuptoi edhe Lefteri i LSI-së.

Natyrisht, ai dhe ushtarët e tjerë të Metës, që po rendin për t’u shndëruar nga të akuzuar në akuzues, mund të paragjykohen në kryqëzatën e tyre parazgjedhore. Dikush mund të mendojnë se ata e bëjnë këtë në keqbesim dhe për interesa të pastra elektorale. Dikush tjetër mund t’i akuzojë si bashkëfajtorë për ato që kanë ndodhur gjatë këtij mandati.

Por, në fund të fundit kjo ka pak rëndësi.

Kryesorja është se pavarësisht nga qëllimet, ata po mundohen të krijojnë, para zgjedhjeve, një profil të kundërt nga Rama. Edhe ata e kanë kuptuar, se qoftë brenda, qoftë jashtë koalicionit, njësimi apo barabitja me Ramën, i bën më pis se ç’janë në sytë e publikut.

Prandaj të gjithë në kor, aktorët kryesorë të LSI-së po drejtojnë gishtin e akuzës nga Rilindja. Ata e ndjejnë, se sa më të distancuar prej saj, aq më pak kundërbojnë.

Dhe e gjithë kjo strategji, sado hipokrite qoftë, po noterizohet nga Rama. I kapur peng nga ankthi i zgjedhjeve, i dërrmuar nga aferat e njëpasnjëshme, i pafuqishëm për të luftuar krimin dhe drogën, ai nuk po gjen forcë t’i thotë ndal aleatve të tij. Ai është tredhur aq shumë, sa nuk ka më as fuqi ta vërë LSI-në përpara alternativës: heshtni ose largohuni. Ai thjeshtë është kapur mat, duke dëshmuar kështu, se nuk janë deklarata si ato të Lefterit që përdhosin qeverinë, por se ajo ka kohë që është qelbur nga koka. (Lapsi.al)

Të këshilluara

Pse e kërkon Meta arrestimin e Balilit?

Ilir Meta ka hapur një debat të fortë këtë mesjavë duke i kërkuar presidentit Nishani, mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, lidhur me mosarrestimin e “E...

09:26

Trump si armik i armikut

Partitë politike dhe mbështetësit e tyre mediatikë në Shqipëri e kanë pritur fitoren e Trump-it ndryshe nga ç’kanë pritur zgjedhje të tjera presidenciale në SHB...

16:58

Dialogu na çon në Serbi, jo në Evropë

1. Është ditë “dialogu” dhe s’kam si të mos pyes publikisht për një mister, prej më të mëdhenjëve që Kosova përfitoi (lexo: humbi) falë dialogut. ...

15:19

30 sekonda pa ‘Lali Erin’

Nga Artan Rama Është shqetësuese imtësia me të cilën televizionet kurojnë lajmet që vijnë prej Bashkisë së Tiranës dhe veçanërisht, kujdesi për kryetarin e s...

14:12

Na e shpifët me këto foto të blera!

Një mori fotosh të politikanëve shqiptarë që kanë shkuar si spektatorë në ceremoninë e betimit të presidentit Trump, kanë përmbytur këto ditë faqet e gazetave d...

14:48

Edhe një premtim i pambajtur i Ramës

Hapja këtë të hënë e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku mblidhen, padronët, bankierët dhe përfaqësuesit politikë nga mbarë bota, shërbeu për t’i komunikuar r...

09:01

Kryeministër, jep dorëheqje!

Ka shumë pak njerëz në Kosovë që ta kenë përkrahur politikisht kryeministrin Isa Mustafa më shumë se unë.   Si për LDK, ashtu edhe për Qeveri.   Dis...

17:48

Mediat, a ishim më mirë kur ishte Berisha?

Zhurma e pazakontë që shkaktoi shkarkimi i dy gazetarëve prej mediave që prej vitesh zvarriten pas qeverive, përpos debatit të raportit mes pushtetit dhe fjalës...

16:14

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI