Xhani De Biazi është shpallur nga lexuesit e “Panorama Sport” si personazhi sportiv i vitit në Shqipëri. Në anketën me 9 emra të tjerë të spikatur të sportit në vendin tonë, trajneri i Kombëtares ka marrë më shumë vota, duke lënë Majlinda Kelmendin në vendin e dytë dhe Elseid Hysajn në vendin e tretë. Në portalin “panorama-sport.com” votuan 1647 lexues dhe i pari në renditje u ngjit italiani me nënshtetësi shqiptare.
Në një bisedë ekskluzive për gazetën dje në mbrëmje, ai shprehu mirënjohje për vlerësimin dhe pranoi të jepte një intervistë ndryshe. “Nënë Tereza është shqiptarja që vlerësoj më shumë, ja çfarë keni ju më tepër se italianët”, thotë ai ndër të tjera.

Rezultatet e sondazhit të “Panorama Sport”
Kur firmosët me Federatën, a menduat ndonjëherë se do të zgjaste kaq gjatë?
Është gjithnjë e vështirë të parashikosh kohëzgjatjen e një kontrate, por mendoj se deri tani ka qenë një kohë e shpenzuar në mënyrën e duhur.
Ju pëlqen emri Gani Abazi?
Kam kuptuar që ka qenë një shaka për të shqiptarizuar emrin tim, por nuk më vjen keq. Unë bëj shaka shpesh me këtë gjë.
Cili është shqiptari që vlerësoni më shumë?
Shqiptari që vlerësoj më shumë për atë që ka bërë në jetë është Nënë Tereza. Një shembull i dedikimit në favor të të varfërve dhe atyre që kanë nevojë.
Cili është ushqimi shqiptar që preferoni më shumë?
Nuk kam preferenca të qarta, por më pëlqen shumë peshku.
Po qyteti që ju pëlqen më shumë?
Berati më pëlqeu kur e vizitova. Kishte një kodër fantastike, me kalanë në majë dhe me “1000 dritaret”. Është shumë i bukur.
Çfarë kanë më shumë shqiptarët se italianët?
Ndoshta krenarinë kombëtare dhe dëshirën për t’i nisur gjërat nga e para pa përtuar.
Çfarë mund t’ju vërë në siklet në Shqipëri?
Asgjë nuk më vë në siklet.
Marrëdhënia juaj me Dukën është: “e mirë”, “korrekte”, “fantastike”, “e pandashme”, “e padurueshme”?
Me presidentin kemi pasur gjithnjë një raport më shumë se sa të mirë.
Përveç Hafizit, cili është shqiptari tjetër që nuk ju pëlqen edhe aq shumë?
Mendoj se kam marrëdhënie të mira me të gjithë, brenda dhe jashtë botës së futbollit. Por ka edhe momente ku lindin edhe kontraste.
Është e vërtetë që, disa muaj më parë, jeni zënë me Alban Bushin?
Jo, nuk është kështu. Unë mendoj se kam një raport shumë të mirë me të dhe besoj se i kam dhënë një dorë në përmirësimin në aspektin profesional. Jam përpjekur që gjithnjë t’i jap këshillat e duhura.
Cila është diferenca mes Lalës dhe Bogdanit si zv.trajnerë të Kombëtares?
Asnjë nga ata të dy nuk ka qenë zv.trajner i Kombëtares, por bashkëpunëtorë teknikë. Mendoj se Altini bëri zgjedhje tjetër për të ardhmen e tij, ndërsa Erjoni do të nisë të trajnojë së shpejti. Kanë karaktere të ndryshme, por të dy kishin dëshirë të mësonin dhe të punonin si duhet.
Cili do të jetë zëvendësuesi i Tramexanit?
Do të shoh me kujdes pas ftesave të fundvitit. Kemi kohë dhe dua të marr një vendim me qetësi dhe kthjelltësi, sepse është një zgjedhje që duhet peshuar mirë.
Kualifikimi në “Euro 2016” mendoni se ishte maksimumi që mund të bënit në këtë vend?
Mendoj se ishte diçka e jashtëzakonshme. Ishte një surprizë e madhe dhe e bukur t’i shihje ata djem që realizuan atë objektiv, duke ndjekur fort ëndrrën e tyre.
Cili është gabimi më i madh që keni bërë në Shqipëri?
Nuk mendoj se kam bërë ndonjë gjë të gabuar në mënyrë të vullnetshme, por sigurisht që në jetë jo çdo gjë shkon mirë.
Me çfarë do ta kishit ndërruar biçikletën tuaj të preferuar?
Vetëm me kualifikimin në “Euro 2016″… (qesh).
De Biazi është i pasur apo i varfër?
Mendoj se jam në kushte mjaft të mira.
Cili është lojtari shqiptar me të cilin keni një raport ndryshe?
(Nuk përgjigjet).
Cili është politikani shqiptar me të cilin keni një marrëdhënie speciale?
(Nuk përgjigjet).
Cili është gazetari shqiptar me të cilin keni raporte speciale?
Me Çarçanin, sepse kur ai kërkon një intervistë, unë arrij ta kuptoj menjëherë sapo ai shqipton fjalën e parë. Por mendoj se kam raporte të mira thuajse me të gjithë. Në raportin me ju personalisht kam vlerësuar faktin që jeni i drejtpërdrejtë në ato që thoni.
Cili është aktori i preferuar?
Robert De Niro.
Cila është fjala shqipe që ju duket e vështirë për t’u shqiptuar?
Janë shumë. E kam të vështirë të zgjedh një tani.
Më mirë Basha apo Kukeli?
Nuk e di.
Cila është skuadra shqiptare që ju pëlqen më shumë në këtë moment?
Mendoj se disa skuadra po luajnë futboll të mirë. Derbi i kryeqytetit më pëlqeu shumë deri në momentin që u fikën dritat. Kukësi gjithashtu ka bërë një pjesë të parë të sezonit shumë të mirë.
Kaçe apo Rashica, kush ju zhgënjeu më shumë?
Do të flas vetëm për futbollistët tanë, pra vetëm për Ergysin. Mendoj se po kalon një moment të vështirë, por jam i bindur gjithashtu se do ta kalojë këtë situatë dhe do të jetë më i fortë dhe më i pjekur në të ardhmen. Gjithnjë nëse arrin të lexosh mirë mesazhet që merr në jetë… Kur jemi të rinj mendojmë se bota është nën këmbët tona, por në fakt ne jemi vetëm një pjesëz e vogël e ingranazhit.
Kur është hera e fundit që keni qarë?
Le të themi se jam një person që prekem shpejt dhe ndonjëherë më mbushen sytë me lot, por për herë të fundit kur kam qarë me shpirt ka qenë kur humba babanë tim. Ai iku shumë i ri.
Kur është hera e fundit që nuk e keni mbajtur dot të qeshurën?
Një mbrëmje që organizojmë me miqtë tanë të përhershëm, rreth dy javë para Krishtlindjeve. Ishim gjithsej 14 veta dhe të gjithë të lidhur me botën e futbollit. Kishte batuta dhe barsoleta pa fund, saqë ishte e vështirë të përmbaheshe…
Tani që keni ndryshuar pamjen, mendoni se jeni më simpatik me mjekër apo pa mjekër?
Unë mendoj se për ju jam më simpatik kur fitojmë ndeshjet se sa kur lë mjekër…
Do të qëndroni edhe një edicion tjetër në Shqipëri, apo do të largoheni në fund të këtij?
Nuk e di.
JETMIR HALILAJ Panorama Sport