Flash

Në kërkim të një Trumpi shqiptar

Lapsi.al 16 November 2016
Në kërkim të një Trumpi shqiptar

Tashmë një javë pas tërmetit Trump, të gjithë po mundohen sipas mënyrës së vet të lexojnë situatën. Çfarë do të ndodhë më pas? Çfarë domethënie pati i gjithë ky aktivitet sizmik?

Teksa në Shqipëri, simpatizantët apo kundërshtarët e presidentit të ri amerikan vijojnë të përpilojnë lista larjeje hesapesh (në varësi të gjakmarrjeve të tyre lokale politike), probabiliteti më i madh nuk është që trumpizmi të ndërhyjë nga distanca në teatrin e vogël e meskin të ngjarjeve në Tiranë, por të gjejë formën e vet shqiptare të zbatimit në realitetin tonë.

Nga ky këndvështrim, pikëpyetjet reale vijojnë të mbeten pa përgjigje. A do të fryjnë deri në Tiranën periferike erërat e ndryshimit të madh që u aktivizua prej shembjes vigane të establishmentit në zemrën e kapitalit global? Çfarë ndryshimi do të jetë konkretisht ky dhe në ç’mënyrë mund të zhvillohet ai?

Një proverb kinez uron: jetofsh në kohëra interesante. Ajo që askush nuk kundërshton është se vërtet jemi dëshmitarë të agimit të një bote të re. Por kohët ku jetojmë janë jo thjesht interesante. Ato janë edhe të dyshimta.

Ajo çfarë ka më shumë gjasë të ndodhë është që si kudo tjetër, edhe në Shqipëri, fitorja e Trump-it të sinjalizojë fundin e një ekuilibri të konsoliduar mes pushtetit dhe kapitalit dhe nisjen e një epoke eksplorimi për një ekuilibër të ri, së bashku me një seri simptomash të paqarta shoqëruese gjatë gjithë këtij itinerari.

Por cili është realiteti i ekuilibrit pushtet-kapital të instaluar këtu e 25 vjet në Shqipëri dhe çfarë realisht mund të ishte zëvendësuesi i tij? Ajo çka është bërë e dukshme të paktën në vitet e fundit, është se klasa politike në Shqipëri u prek nga e njëjta sëmundje terminale e cila prodhoi nevojën për një president si Trump në SHBA.

Modeli politik neoliberal i cili e nisi rrugëtimin e tij me ardhjen në pushtet të Theçerit në Britani më 1979 dhe të Reganit në SHBA më 1980, u ul këmbëkryq në Tiranë këtë dekadë. Me kredon e vet të biznesifikimit të gjithçkaje, ai i shndërroi partitë politike pa dallim krahu, në ingranazhe ndihmëse të një salloni biznesi, interesat e të cilit mbeten njëlloj përfituese pavarësisht rrotacionit në ekzekutiv dhe legjislativ.

Në vitet e para të këtij eksperimenti që synonte të martonte kapitalizmin me demokracinë, tifozeria dhe militantizmi partiak mbahej qëllimisht i ndezur fort. Përmes tyre mund të kamuflohej paaftësia e secilës parti apo lider politik për të shkëputur penjtë robërues të biznesit që i shndërronin ato brenda pak javësh nga marrja e pushtetit në tradhtarë të premtimeve të veta elektorale.

Mirëpo tashmë kjo narrativë e ka humbur magjinë. Partitë politike në kushtet e stalinizmi të tregut të sanksionuar si model sundues për jetën në vend, e panë veten pas pak në trajtën e dy kompanive motra, kinse konkurrente, të cilat i derdhin fitimet në arkën e të vetmit pronar. Me logjikën se “privatja mbi të gjitha” ato u zhveshën tërësisht nga aftësia për të ofruar ndonjë alternativë tjetër zhvillimore përveç dogmës neoliberale të shtetit të vogël, përherë të dëmshëm ndaj qytetarit.

Në këto pozita, e vetmja armë që partive-kompani u mbeti në dorë në luftën e tyre komerciale për të kapur elektoratin e perceptuar në “treg”, ishin pikërisht taktikat prej kompanish biznesi: fushatat e tyre të marketingut, marrdhëniet publike, brandimi, logot, paketat e ofertave, sponsorizimi i eventeve dhe nganjëherë shkurt e qartë thjesht blerja direkte me para në dorë.

U zhvilluan kështu partitë e boshatisura nga përmbajtja e të fryra në ekzibicionizëm, batuta, emra të botës së shoëbizit apo kriminalitetit. Lindën partitë dembele ku është reshtur së prodhuari mendim, rrugëzgjidhje apo alternativë për shoqërinë, por ku thjesht përpilohet lëgjislacioni që mirëmban shëndetin ekonomik të një grushti kompanish. Të një kaste shfrytëzuesish të përjetshëm të cilët me babëzinë e tyre gradualisht e varfërojnë ekonominë, e shkretojnë mjedisin si dhe e mjelin, plakin, dëbojnë apo idiotizojnë popullsinë.

Me pak fjalë, diktatura e dikurshme e proletariatit u zëvendësua në mënyrë brutale nga diktatura e biznesit. Dhe kjo diktaturë e re u instalua në një kuptim aq totalitar saqë demokracia u ridikulizua deri në skajin e një shakaje banale të cilën askush nuk e merr më seriozisht. Kësisoj, logjika e këtij sistemi politik që nuk ofron asnjë alternativë, ka rënë.

Kjo situatë cinike dhe inercia e riprodhimit të saj të mërzitshëm çdo katër vjet, i ka shpartalluar përfundimisht iluzionet e të gjithë atyre njerëzve të cilët tashmë nuk presin më asnjë ndryshim nga zgjedhjet sepse e dinë që vendimmarrësi i vërtetë, “salloni i madh i biznesit”, nuk hidhet asnjëherë në votim.

Ky është terreni pjellor në të cilin një ide politike e cila ofron diçka të ndryshme nga perspektiva e riciklimit të neoliberalizmit tashmë të ndjerë, kthehet në një bast të sigurt. Mirëpo me të vërtetë, sikurse vërejnë vëzhgues të shumtë, dhe siç duken bathët se do të jetë rasti edhe në Shqipëri, kjo nevojë për ndryshim është një thikë me dy tehe.

Mundësia e parë është një zgjidhje skizofrenike. Është ajo që mund të ndodhë nëse ky frustrim popullor ndaj efekteve shkatërrimtare të versionit neoliberal të kapitalizmit si pabarazia e thellë, papunësia, varfëria kronike, pasiguria e jetës etj, do të quajë si rrugëdalje thjesht shkundjen tej të këtij versioni të kapitalizmit e jo të kapitalizmit vetë.

Është rreziku që duke e supozuar neoliberalizmin si një anomali që duhet çrrënjosur për ta lënë vetë sistemin të funksionojë “ashtu siç e ka bërë nëna”, sistemi në fjalë, pra kapitalizmi të kthehet në një formë të vetën primitive për ta filluar gjithçka nga e para duke zeruar të gjitha fitoret e mundimshme të luftës për të drejta civile, barazi dhe emancipim në një shekull përpjekje.

Kjo është era e kapitalizmit pa maskën e demokracisë, etikës dhe korrektesës politike. Era e partive politike në luftë të hapur me atë që Chomsky e quan “jetë e organizuar njerëzore”. Është epoka e injorimit mizor të mjedisit, e racizmit të shpallur, urrejtjes pa kokëçarje ndaj fqinjit fajtor për problemet e tua, ndaj tjetrit, të dobëtit, të varfërit, gruas, homoseksualit, grekut, çifutit e deri pse jo – edhe “kosovarit”.

E gjitha i ngjan një orgjie të mendjes. Mjaft më me rregullat e mirësjelljes, u ngopëm me to. Një nga arsyet e fitores së Trump ishte vërshimi hakmarrës drejt qendrave të votimit i një mase kritike zgjedhësish të bardhë, kryesisht të papunë ose te keqpunësuar, fetarë dhe pa arsim të lartë ose të mesëm. Rreth 40% e votuesve të Trump e quajnë të panevojshme çdo politikë mjedisore meqenëse siç dihet Krishti do të zbresë në Tokë brenda pak dekadave. Po i njëjti numër beson se bota është krijuar rreth 3-4 mijë vjet më parë.

Çmontimi i pandalshëm që kasta neoliberale i ka bërë sistemit arsimor në vende si Shqipëria, analfabetizimi funksional, si dhe yshtja e masave të tëra të popullsisë drejt një rilindjeje fetare, e ka shndërruar tashmë shoqërinë në një idiokraci, në një realitet hajvanësh, ku sigurisht mundësia e suksesit edhe për një grosist pasurish të paluajtshme që e shpjegon ekonominë popullorçe, nuk është larg realitetit.

Kjo është edhe arsyeja e ngadhnjimit jo vetëm të Donald Trump-it në SHBA, por edhe të alternativës BREXIT në Britani, Viktor Orbanit në Hungari, Putinit në Rusi, Erdoganit në Turqi e ndoshta nesër edhe të Lë Penit në Francë apo Pegida-s në Gjermani.

Ky është rreziku i një perspektive të ngjashme populiste të ekstremit të djathtë në Shqipëri. Formati i saj jo detyrimisht mund të vijë në trajtën e një formacioni të ri politik që hyn në skenë dhe e shndërron në plebishit zemërimin masiv me establishmentin. Ai mund të shfaqet edhe në formën e një grupimi që mësyn dhe i ndryshon kursin një force ekzistuese politike neoliberale.

Zëra rebelë biznesmenësh të pakënaqur nga lidershipi po dëgjohen përditë e më fort nga oborret e të dyja partive neoliberale që përbëjnë establishmentin sot në Shqipëri, PS dhe PD.

Në këtë kontekst të zymtë, opcioni i dytë: ai i bashkimit, riorganizimit dhe afishimit të një alternative të majtë progresiste e cila ekspozon origjinën e vërtetë të anomalisë neoliberale duke ofruar një rrugëzgjidhje reale përballë të dyja çmendurive: neoliberalizmit dhe versionit të tij të përditësuar trampist – mbetet e vetmja shpresë.

Shkruar për SYRI.net

Të këshilluara

Si ngeci Rama mbi një hu

“Po kërceve hu më hu, njëherë do të të ngulet nga pas”, thotë një shprehje popullore. Kryeministri ka koh&eu...

08:51

Qeveria jonë e mban fjalën

A nuk na tha qeveria para dy ditëve se do të binte shumë shi dhe se do të kishte përmbytje masive në gati gjithë vendin? Shum...

20:17

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI