Balaj dhe Odise Roshi ishin protagonistët e Terek Groznit në fitoren 4-1 kundër Uralit në javën e 12-të të Premier Ligës ruse. Balaj përfitoi nga një gafë e portierit kundërshtar për të barazuar shifrat dy minuta para fundit të pjesës së parë, pasi vendasit kishin kaluar përpara me një penallti në të dhjetën. Gjysma e dytë e lojës ishte e tëra për miqtë nga Çeçenia, dhe në minutën e 56-të Roshi bëri ç’desh në krahun e djathtë duke nxjerrë Balajn me portën bosh: 2-0. Tri minuta më pas, përsëri mesfushori fierak i Kombëtares kërkoi në zonë bomberin kuqezi, i cili do të kishte realizuar tripletë nëse mbrojtësi Dinga nuk do ta shtynte vetë topin në rrjetën e Uralit. Në minutën e 71-të Roshi u zëvendësua nga Grozav, ndërsa Balaj la fushën shtatë minuta para fundit të kohës së rregullt. Me dopietën e sotme sulmuesi nga Shkodra ngjitet në kuotën e gjashtë golave në 11 ndeshje këtë sezon, ndërsa fitorja e ngjit Terekun përkohësisht në vendin e katërt të renditjes. /panorama-sport/