Flash

Të hysh në konflikt prej Edi Ramës

Lapsi.al 20 October 2016
Të hysh në konflikt prej Edi Ramës

Tendenca për të devijuar një nevojë politike të Edi Ramës, (të ndërthurrur me trillet e një stari), në një debat identitar shqiptar- kosovar, rrezikon të krijojë një konflikt të paarsyeshëm dhe pa bazë reale mes Shqipërisë dhe Kosovës. 

 

Në vizitën e tij periodike në Serbi, kryeministri shqiptar nuk ka bërë më shumë se sa disa nga paraardhësit e tij, të cilët, në kohë të caktuara, nuk e kanë kursyer përdorimin e çështjes së Kosovës për interesa të ngushta të pushtetit personal. Cilido, në Prishtinë apo Tiranë, që qëndrimet e Edi Ramës i vendos në kontekstin e diskursit për kombin, identitetin, historinë, bashkimin, ndarjen apo tradhëtinë, po ndez një zjarr që në terrenin tonë të thatë të arsyes mund të përhapet me shpejtësi dhe të na djegë të gjithëve.

 

Këtu nuk është fjala për një grusht individësh, për hir të së vërtetës më së shumti në Prishtinë, që janë në kërkim të një identiteti nacional si shpëtim nga kriza e tyre e identitetit. As për ca të tjerë, këta më së shumti në Tiranë, që e quajnë veten më shumë shqiptarë se e flasin shqipen me “ë” dhe “r” dhe me arrogancën e injorantit paragjykojnë gjithçka që vjen nga Kosova. Problemi është me pjesën tjetër, atë që duhet t’i referohet arsyes dhe jo emocionit, e cila po preket ethshëm nga epidemia frustruese “kush jam unë e kush je ti”. E që agravon pastaj në garën e patriotizmit, në analizën identitare, në debatet komb- shtet apo shtet- komb, në historinë e vrasjeve politike dhe ndarjen e figurave kombëtare.

 

Interpretimi i qëndrimeve të kryeministrit shqiptar në këtë kontekst të rrezikshëm, është një komplikacion që po ia krijojmë vetes pa patur nevojë. Problemi i Edi Ramës është më i thjeshtë. Ai nuk shkon në Beograd për të folur as në emër të Kosovës dhe as për Kosovën. Ai shkon atje për veten e tij. Për t’u faktorizuar, për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, për të përdorur (si shumë të tjerë) konjukturat rajonale si narkozë për problemet lokale. Rama kërkon që dështimin e brendshëm ta kompensojë duke u bërë “i vlefshëm” për ndërkombëtarët si garant i paqes dhe stabilitetit në rajon. Refren i njohur ky i liderëve ballkanikë, që i drejtojnë si mos më keq vendet e tyre dhe, për të mbuluar krizat e brendshme, shfaqen si misionarë të qëllimeve të epërme.

 

Po të fliste për Kosovën, kryeministri shqiptar do të ishte sjellë si homologët e tij normalë, që përpiqen t’u japin zgjidhje çështjeve të përditshme dhe jo të marrin përsipër në mënyrë qesharake zgjedhjen e konflikteve historike. Për Kosovën, Edi Rama mund të kishte kërkuar përshembull përfshirjen në Forumin e biznesit në Nish, hartimin e projekteve të përbashkëta ekonomike mes tri vendeve, zhbllokimin e linjës së interkonjeksionit, aplikimin për kodin telefonik të Kosovës, reciprocitetin në tregëti, etj. Prandaj problemi nuk është se Rama i bën vizita Vuçiçit për të folur për Kosovën apo në emër të Kosovës. Rama shkon në Beograd për Edi Ramën.

 

Të projektosh nevojat e Edi Ramës në një debat për kombin, në diskutime identiteti apo analiza historike, është krejtësisht një ndërmarrje e paarsyeshme dhe e padobishme. Eshtë i njëjti kryeministër që organizon mbledhje të dy qeverive, Tiranë- Prishtinë, me flamuj kombëtarë, me simbolika bashkimi e retorikë nacionaliste dhe po i njëjti që citon Ivo Andriçin apo merr përsipër paqen e madhe shqiptaro- serbe.

Problemi këtu nuk është me Edi Ramën, por me ata (kryesisht në Prishtinë) që e marrin seriozisht në rolin e ri që ai i ka caktuar vetes dhe që mundohen t’i lexojnë qëndrimet e tij përtej konjukturave të politikës ditore. Sigurisht që kanë të drejtë të reagojnë kur dëgjojnë kryeministrin e Shqipërisë që për pritjen e Goran Bregoviçit në Tiranë i referohet kanunit (“ne shqiptarët kur miku na vjen në shtëpi nuk e pyesim për origjinën”, tha ai në intervistën për Eni Vasilin) dhe kur vjen puna për bllokimin që Serbia i bën Kosovës i referohet BE dhe ligjit. Kanë të drejtë të reagojnë edhe kur kryeministri shqiptar, për t’u dukur erudit përpara Vuçiçit, zgjedh të citojë Andriçin, shkrimtar por edhe diplomat i rangut të lartë në Jugosllavi që tezë të tij ka patur copëtimin e Shqipërisë dhe spastrimin etnik në Kosovë. Kanë të drejtë të reagojnë edhe kur e dëgjojnë Edi Ramën të flasë për paqe mes shqiptarëve dhe serbëve ashtu si gjermanët dhe francezët pas Luftës së Dytë Botërore, duke shkelur mbi faktin se serbët kanë qenë dhe janë në luftë e konflikt me shqiptarët e Kosovës dhe u takon këtyre të fundit të përcaktojnë kushtet e një paqeje të mundshme, e cila kalon patjetër nga njohja e shtetit të Kosovës.

 

Mirëpo, megjithatë, të gjithë këto mufka të kryeministrit shqiptar, nuk janë arsye për të ndezur zjarrin e çartur të një rivaliteti shqiptar- kosovar. As për të rënë në absurdin e atyre që dikur lëndoheshin nëse cilësoheshin kosovarë, sepse donin të quheshin shqiptarë të Kosovës, ndërsa sot preken po t’u thuash shqiptarë. Në këtë territor të minuar nuk duhet të na shtyjë politika e ditës. Qoftë edhe ajo e një kryeministri që kur shkon në Beograd do të tregohet edhe lider global, edhe patriot, edhe shkrimtar, edhe piktor, edhe humorist. Merreni edhe si një “zvezdë” që kërkon të shkëlqejë e të bjerë në sy dhe, për të arritur këtë, nuk i llogarit pasojat e sjelljeve të tij. Si “zvezdë” shkoi edhe këtë herë në Beograd. /mapo/

 

Të këshilluara

Ku gaboi Rama në Beograd

Çfarë fundjave! Duket se analistët, por edhe banalistët dhe kalemxhinjtë e Tiranës dhe Prishtinës nuk dolën as në...

10:42

Nuk ka komb kosovar!

Zbuluesit dhe promovuesit e ‘kombit kosovar’ nisen nga nje keqperkthim, ose perkthim preferencial te reduktuar te nocioneve perendimore te fjaleve ‘nation’ dhe ...

07:40

Ku nuk jam dakord me Blushin?

Ben Blushi na kish bërë me dije me anë të një shkrimi, lidhur me vendimin që kish marrë, por dje i dha një formë &l...

09:32

LSI është gjithmonë me plehrat

Sinjalet e qarta që Bujar Nishani i ka dhënë pjestarëve të delegacionit të Aleancës kundër importit të plehrave, se...

14:22

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

23°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI