Nga monografia e autorit Halil Rama, “Lilri Belishova, gruaja që sfidoi diktaturën”, Belishova rrëfen për disa momente kritike në jetën e saj, por edhe të Shqipërisë. Belishova tregon gabimet që po bënte Partia Komuniste gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pushkatimet e të pafajshmëve pas çlirimit, bombën në Ambasadën Sovjetike, kolektivizimin etj.
GABIMET QË BËNTE PARTIA KOMUNISTE QË GJATË KOHËS SË LUFTËS
Liri Belishova pranon se gabimet që bënte Partia Komuniste që gjatë kohës së luftës, nuk ishin në gjendje t’i kuptonin. “Na bënin patjetër përshtypje, por unë për veten time jo vetëm në atë kohë, por edhe shumë vite më vonë, vuaja shpirtërisht se mendoja duke qenë një vajzë që vij nga një familje pak a shumë e kamur, kam mbeturina mikroborgjeze, që nuk jam komuniste e mirë.
Dhe si të thuash ishte një vetëqortim, një vetëndëshkim i vetes sime. Nuk u jepja të drejtë mendimeve dhe ndjenjave të natyrshme të një njeriu që i ka të zakonshme disa ndjenja humane, disa ndjenja demokratike, mendoj unë për çdo njeri normal”. Ndërkohë, ajo sjell në kujtesë fundin e nëntorit të 1944-s kur u bë Plenumi i Dytë i Beratit. “Unë nuk kam qenë prezente, megjithëse ky Plenum më zgjodhi kandidate. Kam qenë në Tiranë atëherë, nuk isha në Berat, kur ky Plenum e kritikoi ashpër Enver Hoxhën për sektarizmin e tij dhe bashkë me Enver Hoxhën u kritikua edhe Miladini.
Enver Hoxha e thotë në këtë plenum dhe kështu ka qenë realiteti, që Miladini për të ka qenë mësuesi, dhe ky ka bërë çdo gjë që thoshte Miladini”. Këto kritika, sipas znj. Belishova, ishin në radhë të parë për një sektarizëm të madh, të atilla që Sejfulla Malëshova kishte paralajmëruar se: “Në qoftë se neve nuk heqim dorë nga kjo rrugë, do të përfundojmë në një parti terroriste”. Fakte ka shumë.
Atje një nga anëtarët e Komitetit Qendror, që më vonë u bë edhe anëtar Byroje, Gogo Nushi, tha që duke qenë Sekretar i parë i Tiranës, kishte marrë nga Enver Hoxha një letër me një listë ku ishin tridhjetë e ca veta, me urdhër që të pushkatoheshin, por të pushkatoheshin në mënyrë sekrete që të mos merrej vesh në publik që i vranë komunistët. Gogo Nushi tha: “Unë u habita se të tërë njerëzit që ishin në këtë listë nuk ishin fashistë ose bashkëpunëtorë të fashistëve, të gjermanëve, ose patriotë antifashistë të lidhur me neve ose bile edhe komunistë”.
Enver Hoxha ka ndërhyrë dhe i ka thënë: “Ti vetë na ke shkruar dhe i ke kritikuar këta njerëz”. Gogo Nushi i është përgjigjur: “Shoku Enver, unë ju kam shkruar që këta njerëz kanë disa gjëra të paqarta, disa pakënaqësi, me qëllim që neve t’i sqarojmë, t’i bindim, por jo t’i pushkatojmë”. Dhe Enver Hoxha nuk e ka kundërshtuar.
“Megjithëse mendoja që ndonjëri edhe mund të mos dënohej kaq rreptë, sepse nuk kishte krime, ishte vetëm çështje politike, por të them të drejtën, jam tronditur kur kam qenë në Holandë dhe më thanë që atje si kriminelë lufte kanë pushkatuar vetëm katër veta, një pjesë të vogël e kanë burgosur, internime nuk mund të bëheshin se Holanda është shumë e urbanizuar, dhe pjesa tjetër kanë bërë një dënim publik, d.m.th., janë kritikuar në gazeta dhe ata vetë kanë kërkuar falje. Ka pasur ligje që të mos merrnin poste shtetërore etj. Dhe, megjithatë, mua atëherë më dukeshin të drejta, por, siç thashë, kisha këto rezerva”, vijon rrëfimin znj. Belishova.
“SI E HUMBA DRITËN E SYRIT NË DEMONSTRATË”
Ka qenë vetëm 16 vjeçe kur e kanë pranuar anëtare të Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste të Tiranës, pra edhe të Rinisë Antifashiste. Ndërsa një vit më pas, iu besua drejtimi i të gjithë rinisë së kryeqytetit. Në moshën 18-vjeçare u bë anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste të Shqipërisë dhe, pak më pas, u gjend në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste. Por për këto funksione ajo ka humbur edhe dritën e syrit. “Kur u plagosa më erdhi shumë keq, humba syrin atëherë.
Thosha: Të më kishte rënë në një vend tjetër, le të kisha një plagë të madhe, se tani kush do më marrë mua? E mendoja këtë gjë…”, thotë Liri Belishova, duke saktësuar se plagosja i ka ndodhur në demonstratën e 28 korrikut në Tiranë, atëherë kur ra Musolini dhe e hoqën si kryetar të Partisë Fashiste dhe Kryeministër. “Ishte demonstratë shumë e madhe, u bë aty te sheshi ku është muzeu sot, se dikur ishte Bashkia. Po na qëllonin tanket italiane. Unë vetëm pashë gjak dhe renda drejt kafe ‘Kursal’, ku vura re se po hynin njerëz të tjerë. U futa brenda dhe dëgjova një zë: Qenka plagosur Liria. Nuk e dija që isha plagosur në sy.
Mua dhe nja dy të tjerave të plagosurave na shpunë në spital. Spitali ishte mbushur me të plagosur të tjerë. Ishte një dr. Kristidhi dhe Petrit Selenica, student për mjekësi në Itali, por në Shqipëri punonte si asistent. Më hoqën ciflat nga trupi dhe syri. Por e kuptova nga mënyra se si fliste dr. Kristidhi që e kisha humbur dritën e syrit. Ky doktor ishte jashtëzakonisht njeri fisnik, më ka mjekuar syrin më pas në shtëpinë time dhe në bazat ku kam qenë. Nuk më mori asnjë lek dhe ilaçet m’i jepte gratis, por ishte edhe miku i babait tim. Ishte antifashist në radhë të parë”, rrëfen Liri Belishova, duke theksuar: “Ndaj u fitua ajo luftë, nuk na dukej asgjë jeta. Nuk e llogarisnim jetën”.
PUSHKATIME SI HAKMARRJE DHE PËR TË TREMBUR TË TJERË
Etapë tjetër ka qenë kur u bënë tatimet e jashtëzakonshme të luftës dhe u caktuan tatime të tilla që jo vetëm i rrënonin ekonomikisht tregtarët e ndryshëm, pronarë fabrikash etj., por në fakt i linin pa bukë. Një pjesë e tyre përpiqej që ta ruante këtë pasuri, p.sh. florinjtë që kishin etj., dhe ndaj tyre janë sjellë në mënyrë mizore. I kanë torturuar, i kanë pushkatuar, janë nxjerrë nga shtëpitë e tyre fëmijët, gratë, janë dërguar të jetojnë nëpër baraka, nëpër kasolle. Këto, L. Belishovës nuk i dukeshin të mira. Ama, mendonte që janë armiq të klasës. “Gjithmonë shoku Stalin dominonte trurin dhe ai shpirti human që e ka çdo njeri ishte në luftë me stalinizmin.
U hodh një bombë në Ambasadën Sovjetike dhe me atë rast, si kundërpërgjigje, u pushkatuan 22 veta, të cilët nuk kishin të bënin fare me këtë aksion, mund të them, me këtë incident. Por, u pushkatuan si hakmarrje dhe për të trembur të tjerët, sipas parullës së Leninit “Terrorit të bardhë do t’i përgjigjemi me terror të kuq”. Kjo gjë, asaj, si dhe shumicës së shqiptarëve dhe veçanërisht elitës intelektuale të kryeqytetit, nuk i ka bërë përshtypje të mirë. Madje, ajo kujton që vetë Enver Hoxha, pastaj u ka thënë që Voroshilovi, në prezencë të Stalinit, pra, d.m.th. me dijeninë ose me urdhrin e tij, i tha Enver Hoxhës: “Çfarë bën kështu, more Enver, i sose shqiptarët, 1 milion janë”.
“Po ata hodhën bombë, shoku Voroshilov”, tha Enveri. “Po sa bomba hidhen nëpër konsullatat e ambasadat tona, një xham u thye, nuk u vra njeri. Pushkatohen 22 veta për këtë gjë?”. Merre me mend tani. E dimë kush ishte Stalini edhe Voroshilovi dhe ata i kanë hequr vërejtjen Enverit për teprim në masat represive. “Pastaj erdhi puna e kulakëve. Në atë kohë, burri im i dytë, Maqo Çomo, ishte në fillim zëvendësministër i Bujqësisë, pastaj u bë ministër i Bujqësisë. Dhe ai sidomos kishte kontakt me fshatin dhe më ka treguar raste që ishin me të vërtetë të dhimbshme dhe absurde”, shprehet L. Belishova.
Kjo për faktin se në një fshat shpallnin 20 kulakë, 30 kulakë. “Hasmëri personale, a i kuptoni të gjitha këto? P.sh., një grua e kishin shpallur kulake sepse ajo kishte një vajzë të bukur, burrë ose djalë të rritur nuk kishte që ta mbronte. Sekretari i Partisë së fshatit e donte këtë vajzën e bukur për nipin e tij. Kjo nuk ia dha se vajza nuk donte dhe për këtë e shpallën kulake. D.m.th., kishte gjëra shumë të këqija. Tani këto më bënin të mendoja që sa sëmundje ka kjo Parti Komuniste që unë e quaja ideale. Por edhe lëkundesha. A janë të drejta këto udhëzime për kulakët, sepse në fund të fundit, fshatari i pasur bëhej ai që ishte i zoti, nuk bëhej ai që ishte i humbur.
Dhe duke marrë parasysh fshatin tim, p.sh., unë e dija që do ta merrnin në dorë fshatarët e varfër, por fshatarët e varfër ishin ata që i hante morri dhe pleshti, kur i thonë, nuk ishin të zotët. Mirëpo, siç thashë, gjithmonë ishte ajo mëdyshja, por me kohë këto gjëra dekantoheshin, kur thonë, një çikë sot, një çikë nesër”.
KOLEKTIVIZIMI
Stalini e ka porositur Enverin: “Mos u shpejtoni me kolektivizimin se jeni një vend i vogël, malor, nuk keni industri që të mund të ndihmoni fshatin. Shkoni gradualisht. Mos na kopjoni neve, se neve u detyruam të bëjmë kolektivizimin si masë për t’u mbrojtur nga Lufta e Dytë Botërore. Juve nuk e keni këtë rrezik”, thekson znj. Belishova.