Heroi negativ i ndeshjes së Shkodrës nuk i ka shpëtuar as vëmendjes së mediave spanjolle. Etrit Berisha i cili i dhuroi golin e parë Spanjës ka marrë gjerësisht vëmendjen e shtypit iberik. E përditshmja sportive "AS" nuk ka dyshime se kush ishte protagonist i kësaj fitoreje. Si të mos largosh një top, Berisha i fali golin e 1-0 Spanjës”, shkruhet në një artikull të “AS”. Fama e gafës së Shkodrës ka mbërritur deri në Britani. “Daily Mail” nuk ngurron ta cilësojë një “gabim të tmerrshëm” atë të Berishës në artikullin e saj për ndeshjen ku thekson se Shqipëria po i bënte ballë iberikëve deri në largimin e gabuar të topit nga portieri shqiptar.
Listës së kritikëve u janë shtuar edhe FIFA dhe UEFA, nëpërmjet përmbledhjeve të ndeshjeve të mbrëmshme të kualifikuesve të Botërorit, ku kanë etiketuar atë episod si momentin që vendosi gjithçka në duelin ndaj iberikëve.
“Spanja kapërceu Shqipërinë në majë të Grupit G falë një fitoreje të siguruar me durim në fushën e skuadrës që kryesonte më parë. Djemtë e Julen Lopeteguit gëzuan 73% të mbajtjes së topit në pjesën e parë, por e kishin të vështirë të rrezikonin rivalët e tyre të mirëorganizuar, para se një gabim nga Etrit Berisha t’i lejonte Diego Kostas të thyente barazinë". Më i ashpër në cilësimin për portierin është artikulli i FIFA-s. “Etrit Berisha prodhoi një pjesë të parë madhështore për të dëshpëruar disa spanjolle, por ishte gafa e portierit ajo që i dhuroi Kampionëve të Botës 2010 golin e avantazhit, kur David Silva u tregua shumë altruist duke i mundësuar Diego Kostas të shënonte ne minuten e 55".
Për gabimin e tij foli edhe vetë portieri i kombëtares shqiptare i cili deri në atë moment të ndeshjes po zhvillonte një lojë të shkëlqyer.
Në një intervistë për TVSH, Berisha tha se “ishte një top i kthyer dhe unë u mundova që ta vazhdoja lojën tek Berati (Gjimshiti) por para se ta pasoja topin, ai më foli dhe më tha largoje topin dhe nuk shkoi ashtu siç duhej. Por janë gjëra që ndodhin. Sigurisht më vjen shumë keq".
Komentet
Mediat më të mëdha sportive në botë kanë komentuar përballjen mes Shqipërisë dhe Spanjë në “Loro Boriçi” si një nga lajmet e ditës.
Gazzetta dello Sport: “Spanjë krah për krah me ne”. Muri i De Biazit zgjat 55 minuta. Shqipëria reziston, por një gabimi i Berishës i dha mundësinë sulmuesit e Çelsit të shënonte.
Corriere della Sport: “Spanja në krye”. “La Roja” shpërthen në pjesën e dytë. Fitore e lehtë për Spanjën në Shqipëri, duke u ngjitur në krye të grupit.
L’Equipe: “Spanja e qetë”. Pas barazimit me Italinë, Spanja fiton qetë në Shqipëri.
Mirror: “Golat e Nolit dhe Kosta në pjesën e dytë i mjaftojnë Lopetegui”. Gjetën golin për të marrë tri pikë dhe për t’u ngjitur në krye.
BBC: “Kosta dhe Nolit i japin fitoren Spanjës”. Diego Kosta dhe Nolito mposhtin Shqipërinë.
ESPN: Spanja fiton ritmin e tiki-taka. “La Furia Roja” merr kryesimin e Grupit G pasi mposhtën Shqipërinë.