nga Arlind Qorri/Shumëkush pyet sot nëse hyrja prej elefanti e deputetëve dhe përfaqësuesve të PD-së në kauzën e parkut përbën vjedhje të saj. Kauza e mbrojtjes së parkut dhe, në përgjithësi, të hapësirave publike nuk është shkop që mund të ta marrin nga dora. As lëndina me bar përpara rrethimit pronë private e cilësdo organizatë a qytetari të angazhuar që mund të zaptohet nga PD-ja.
Pyetja që duhet të shtrohet është se ç’qëndrim duhet të mbajnë organizatat dhe qytetarët e angazhuar ndaj ngulmimit të PD-së për t’u përzier me ta se fundja, edhe strategjikisht, PD-së nuk i intereson edhe aq “ta vjedhë” kauzën sesa t’iu bashkëngjitet organizatave dhe qytetarëve të papërlyer me llumin pushtetor shqiptar. Kështu heq një pjesë të pisllëkut të akumuluar prej vitesh dhe ua mvesh atyre që pranojnë të bashkëpunojnë me ta apo t’u lypin ndihmë.
Të thuash sot se vetëm bashkëpunimi dhe bashkorganizimi me PD-në mund ta shpëtojë parkun ngjan me pretendimet e një pjese të emigracionit antizogist të kohës së mbretërisë të cilët ishin të gatshëm të bashkëpunonin me italianët që të hiqnin satrapin. Dhe kjo nuk është vetëm gomarëri, por edhe simptomë dëshpërimi shoqëror. Vërtet që efekti imediat i këtij bashkëpunimi do t’i shtonte disi numrat e protestuesve, por diçka e tillë as do ta ruajë atë pjesë të parkut nga shkatërrimi (intensiteti i dhunës policore nuk pyet as për aktivistët e PD-së), as do të na ndihmojë që ta shtrijmë kauzën tonë te masa ende e fjetur e qytetarëve. Thjesht do të na shndërronte në instrument të larjes së hesapeve pushtetore midis palëve.
Kësisoj, nëse duhet mbajtur medoemos ndonjë qëndrim ndaj konfliktit midis PD dhe bashkisë/qeverisë, do të duhej të ishte ai i spektatorëve të interesuar që, pavarësisht se i konsiderojnë të dyja palët njëlloj përgjegjëse për katrahurën që ka pësuar vendi dhe qyteti, u intereson që gardhi të prishet apo betonieret të ndalen përkohësisht nga kushdo, qofshin këta edhe dëshmitarë të Jehovait. Thënë kjo, të ruash distancën etiko-politike ndaj deputetëve dhe përfaqësuesve famëkëqij të PD-së nuk do të thotë të tëhuajsosh marrëdhëniet me simpatizantët e thjeshtë të PD-së.
Ata nuk mund të jenë kurrë kundërshtarët tanë, por bashkëqytetarë që e pësojnë njëlloj si ne, pavarësisht se si shumë të tjerë mbajnë në këmbë me votat e tyre të njëjtin establishment partiak që i varfëron dhe përjashton. Madje, personalisht, e gjej veten më afër votuesit të thjeshtë të PD-së – që zakonisht është i papunë periferie, i shfrytëzuar kur punon dhe i përçmuar si ‘katnar’ ose ‘malok’ – sesa atij të PS-së, i cili ka probabilitet më të lartë të jetë çun i llastuar dhe i privilegjuar mamaje. Po si mund të arrihet masa kritike e njerëzve që do t’i jepnin ende shpresë parkut ose kauzave të tjera me interes publik nëse dhuna pushtetore mbizotëron?
Këtu nuk e kam fjalën për pranimin e disfatës duke i dhënë vetes statusin e të indinjuarit që rri e dëshmon keqbërjen e qeveritarëve dhe moskuptimin e të tjerëve, por për mobilizimin dhe qëndrueshmërinë e aq shumë njerëzve në protestë saqë pushtetarëve do t’u hynte frika jo vetëm për parkun, por edhe për veten. Shpresa se do të bëhej nami duke iu thirrur qytetarëve abstraktë, të cilët në fakt janë thuajse gjithmonë një pakicë shoqërore banorësh qytetas që i përkasin shtresës së mesme (mikroborgjezisë teknike, nëse duam të jemi korrektë teorikisht), rezultoi iluzion.
Kur nuk funksionon një strategji, ajo ndryshohet.
Dhe ndryshim nuk mund të jetë t’i zgjasësh dorën e të pashpresit Mesisë (PD-së), por t’u flasësh klasave shoqërore masive që nuk kanë ndjeshmëri të posaçme ndaj parkut, por e pësojnë nga politikat e tjera bashkiake si p.sh. rritja e çmimit të biletës së autobusit dhe përndjekja gjatë shitjes në rrugë. Ama kjo kërkon që kauza e parkut të zgjerohet.
Nëse ka ende shpresë për shpëtimin e parkut, ajo gjendet te vullneti ynë për të mos u marrë vetëm me parkun, por ta integrojmë atë me shqetësime të tjera publike dhe të integrojmë në të klasa të tjera shoqërore.