Flash

Pse duhet gara në PS?

Lapsi.al 16 February 2016
Pse duhet gara në PS?

Një nga ikonat e së majtës moderne botërore, autori i best sellerit “Kapitali në shekullin e XXI” (1.5 milionë kopje të shitura për një libër ekonomie) Tomas Piketty, i ka vënë në një sfidë reale socialistët francezë. Në krye të një grupi intelektualësh ai po kërkon me ngulm thyerjen e një tabuje. Ai po këmbëngul që presidenti francez, Fraçois Hollande të futet në një garë, bashkë me eksponentë të tjerë të së majtës, për të përcaktuar se kush do të jetë kandidati i kësaj familjeje politike për zgjedhjet presidenciale të vitit 2017.

Në pamje të parë ideja e “Karl Marksit të shekullit tonë” përbën një çudi. Në Francë ekziston një traditë e hershme që presidentin në detyrë, e konsideron në mënyrë të natyrshme si një kandidat natyral për të pasuar vetveten. Pa garë dhe pa konkurencë. Mirëpo grupi i udhëhequr nga Piketty mendon ndryshe. Përpos arsyeve taktike të mos shpërndarjes së votave të së majtës, ai ka edhe arsye më parimore se përse po e kërkon këtë garë.

“Duhet të bëjmë një bilanc të asaj që ka arritur e majta, të asaj çka ajo përfaqëson, të asaj ku ajo ka dështuar dhe të sfidave të reja që qëndrojnë përpara saj. Është më se i nevojshëm ky shpjegim në shkallë të gjërë përmes kësaj gare” thoshte në numrin e fundit të “L’obs”, Piketty.

Përpos mendjes së tij brilante, ekonomisti revolucionar është i njohur edhe për influencën e tij në programin e zgjedhjes së Hollande, në teoritë e taksës progresive (deri 75% për të pasurit premtoi presidenti aktual përpara se të zgjidhej), në luftën kundër pabarazive, në prioritetin që e majta duhet t'u japë shtresave në nevojë, etj. Shumë nga këto premtime mbetën në letër që kur presidenti aktual mori një kthesë drejt qendrës së djathtë që e afroi atë më shumë me të pasurit që dikur deklaronte se i urrente.

Pikërisht për këto arsye, pra edhe për ato ideologjike e programore, Piketty po kërkon një debat të përmasave të mëdha në gjirin e së majtës franceze. 

Ai po e bën këtë në kuadër të një tendence që po vihet re gjithnjë e më me forcë në mbarë botën. Jo vetëm idetë e Varufakisit dhe Tsiprasit që sollën në pushtet Syrizan në Greqi, jo vetëm lufta që çoi në parlament Podemosin e Pablo Igleziasit në Spanjë, por edhe surpriza e Bernie Sandersit të vetëquajtur socialist, në primaret e demokratëve në SHBA, duke garuar mbi parimet e barazisë, shkollimit dhe shëndetësisë falas, po përvijojnë konturet e një lloj tjetër të majte të këtij shekulli.

Pikërisht në sfondin e këtij debati në fshatin global, po zhvillohet dhe konflikti ynë lokal, lidhur me zgjedhjet brenda Partisë Socialiste. Argumentat e përdorura deri më tani nga njeriu që e ka provokuar këtë debat, Ben Blushi, kanë të bëjnë më shumë me zbatimin e rregullave të lojës, me zbatimin e normave të statutit dhe me respektimin e “ligjeve” të përbashkëta që socialistët shqiptarë i kanë vënë vetes për të bashkëjetuar si familje politike.

E natyrisht ato janë 100% legjitime. Ato e bëjnë të pakundërshtueshme një sfidë reale për kreun e PS.

Por e parë më nga lart, ajo garë bëhet e domosdoshme edhe për arsye më parimore dhe më të qënësishme, për vetë identitetin e së majtës. Duke qenë se Blushi, është pozicionuar shumë më majtas se Rama në PS, duke qenë se ai po ngre më shumë zërin në mbrojtje të të varfërve dhe për politika që shuajnë pabarazitë, konkurrimi real me socialistëve vlen edhe për arsye ideologjike.

Le të mos harrojmë, Rama erdhi në pushtet edhe duke premtuar taksa më shumë për të pasurit, edhe duke nxitur iluzionin se do të zhbëjë anomalinë e një shoqërie ku vetëm 5% e njerëzve zotërojnë 50% të pasurisë së vendit, edhe duke u zotuar për më shumë barazi sociale.

Por ai i hodhi në kosh të plehrave këto ëndrra të bukura, që të nesërmen e fitores. Ai u bë njësoj si paraardhësi i tij, një vegël e oligarkisë dhe filloi të punojë për ta dhe me ta.

Pikërisht për këtë arsye, një garë jo vetëm numerike, por mbi të gjitha një debat idesh, do të qe shumë i shëndetshëm për të majtën shqiptare.   

Ai i duhet socialistëve në pushtet jo vetëm për arsyen e thjeshtë se kush do të jetë emri i kryetarit, por mbi të gjitha për identitetin e tyre të ri, për sfidat që kanë përpara, për përshtatjen me trendin e kohës.

Një garë jo vetëm personash por mbi të gjitha një sfidë konceptesh do t'u bënte vetëm mirë atyre.

Përballë kësaj emergjence, argumentat e mosshqetësimit të liderit që punon, e mos humbjes së kohës që duhet harxhuar për reformat, e mostjetërsimit të votës popullore, ngjajnë thjeshtë meskine dhe qesharake.

Ato vetëm me një gjë nuk kanë lidhje, me debatin e ideve.  

Pikërisht në emër të këtij debati idesh, Tomas Piketty dhe një numër i madh i intelektualëve të së majtës, po kërkon prishjen e një tradite dhe futjen e François Hollande në garë për të riluajtur fatin e presidencës franceze.

Ndërsa në Tiranë, komsomolasit e Ramës vazhdojnë të këmbëngulin se socialistët më shumë sesa sjellja e një trendi botëror në familjen e tyre, kanë nevojë të ruajnë të pashqetësuar liderin e tyre pa ide. /Lapsi.al/  

Të këshilluara

Ku po dështon BE?

Neveria që aktualisht ndjejnë shumë britanikë ndaj BE-së, buron nga instinkti i duhur, por çon drejt një përgjigje të gabuar. Pa dyshim që Brukseli e shpërfill ...

14:33

Meta si pasqyrë e rrënimit të Ramës

Pasqyra që po i mban të fiksuar përballë fytyrës Ilir Meta, po e bën Edi Ramën të ngjajë më i pafuqishëm, më i lodhur, më i vjetër dhe më i telendisur se kurrë....

08:59

Blushi dhe socialistët lakuriq

Partia Socialiste, pasi ka kapërdirë turpin e heshtjes, tashmë po përjeton edhe paturpsinë e përdorimit për nevojat e ngushta...

07:50

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI