E di, çdo kush që e ka lexuar këtë titull do të mendojë se kam hyrë në zjarr. Ashtu po ndjehem. Guximi shpesh herë është budallaki dhe budallakia shpeshherë është mekanizëm mbrojtës. Por ka edhe shumë shtresa të pushtetit që përvidhen brenda- përbrenda jetëve tona dhe që na shtyjnë në kahe dhe drejtime që nuk do t’i donim. Ndër këto pushtete është ai i medies Express, i cili, vetëm pak muaj më parë kishte rrënuar (së paku përkohësisht) dinjitetin e një figure të njohur publike dhe tani ka marrë rolin e “gjykatësit” të moralit.
Është krijuar një gjendje në disa pjesë të Kosovës që të jesh sot me Hashim Thaçin, përkrahës i tij apo qoftë edhe neutral ndaj tij, është baraz me krim. Ndërsa në anën tjetër, Hashim Thaçi, po i njëjti person, është njeriu me pushtetin më të madh në Kosovë. Është njeriu bindshëm më i votuar dhe kryetari i partisë më të fuqishme politike në Kosovë.
Nëse ka mbetur vetëm një grimë logjikë brenda sjelljes, mentalitetit dhe veprimit tonë brenda Kosovës, kjo që u tha më lart është paradoksi më i madh i mundshëm. Në njërën anë janë akuzuesit e Thaçit dhe në anën tjetër janë votuesit dhe populli. (Sigurisht numri i votuesve të Thaçit është shumë më i vogël se totali i votuesve në Kosovë, por megjithatë është numri më i madh i votuesve për një figurë politike).
Ose është gabim populli ose është gabim klasa akuzuese. Dhe kjo situatë dramatike dhe ekstreme, e dy kundërshtimeve tejet përjashtuese është pikërisht gjendja në Kosovë, ekstremizëm.
Ka një argument tërësisht politik, por politikë naive, për numrin e madh të votave për Thaçin dhe ai është se votat për Thaçin janë klientelizëm. Se janë të kushtëzuara nga “injektimet” financiare të tij ndaj popullit. Janë disa kundër- argumente për këtë: të njëjtit akuzues krijojnë të njëjtën “varësi” dhe “kushtëzim” të popullit ndaj tyre (Vetëvendosja, sipas të dhënave të fundit është partia e dytë me më së shumti tendera dhënë përkrahësve të saj, etj); pastaj të njëjtit akuzues janë fuqizuar përmes po të njëjtit sistem ku Thaçi është më i pushtetshmi; pastaj akuzuesit janë po të njëjtit që akuzonin Rugovën derisa ai ishte në pushtet, etj.
Por argumenti më i fuqishëm në tërë këtë mes është pikërisht ai i saltos së gazetës Express. Deri para vetëm pak kohe kjo gazetë/portal ka qenë e akuzuar, e njohur dhe e orientuar si përkrahëse e fuqishme e Thaçit dhe PDK-së. Kjo gazetë, në të vërtetë ka arritur të shpërthej kordonin e parëndësisë si medie, pikërisht duke përkrahur Thaçin, atëherë ende pa pas ardhur ky në pushtet.
Duke e pas përdorur këtë bindje dhe orientim të qytetarëve në kundërshtim të pushtetit dhe në përkrahje të opozitës, kjo gazetë kishte ardhur në “pushtetin” mediatik.
Menjëherë pas kësaj ajo kishte filluar “shpër-flliqjen” e kulturës mediatike (përmes ndjekjes së informacionit rozë, përmes ndjekjes dhe publikimit të informatave bombastike, përmes skandaleve, etj). Dhe pikërisht kjo shpërflliqje kishte krijuar një disbalancë, konfuzion dhe kaos të moralit dhe akulturimit të lexuesve kosovarë (deri në këtë kohë lexuesit kosovarë kanë kërkuar informatat e publikuara në portalin Express nëpër mediume pornografike etj). Pikërisht kjo politikë redaktuese dhe orientuese i kishte krijuar medies Express pushtetin më të madh mediatik dhe informativ në Kosovë. Pikërisht ky ka qenë pushteti më i madh mundshëm në demokraci.
Pikërisht në këtë pikë gazeta Express fillon dobësimin e figurave të njohura publike kosovare dhe shqiptare. Pikërisht kjo shkund dhe rrënon çfarëdo pushteti publik. Dhe në këtë mënyrë duke e bërë Expressin si më të pushtetshmin në Kosovë.
Dhe, shih çudinë, mu këtu fillon riorganizimi dhe riorinetimi i portalit Express me të gjitha shtesat e tij. Mu këtu fillon “kundërshtimi” i Thaçit dhe PDK-së dhe sidomos kritikave ndaj tij.
Nëse ka sadopak kuptim ky shpjegim deri këtu, kjo do të thotë se Expressi është duke luftuar edhe për arritjen e pushtetit mbi vendimmarrësit e qeverisjes kosovare.
Unë mund të jem gabim, i painformuar dhe i paaftë, por një gjë është e sigurt, se në shtresat urbane të Kosovës ka një orientim dhe bindje politike të shtuar kundër Hashim Thaçit (shtresë e cila mungon në lexuesit e portalit Express). Në anën tjetër, në shtresat e popullatës që jetojnë në fshatra ka një shtim të besimit ndaj Hashim Thaçit.
Edhe pse portali Express mund të jetë krejtësisht në ndjekje të një skandali të ri; apo edhe pse Express mund të jetë duke ndjekur instinktin dhe intuitën e tij/ saj gazetareske; dhe edhe pse Express mund të jetë tërësisht i pavarur në atë që po bën, edhe shpjegimi më poshtë mund të ketë një kuptim.
Pikërisht disa ditë para pavarësisë, dhe pikërisht disa ditë para votimit për president të Kosovës, gjë për të cilën do të kandidojë edhe Hashim Thaçi, Express publikon një dokumentar që e akuzon Thaçin jo vetëm për kriminel, mafioz dhe shumë gjëra të tjera, por gjithashtu edhe për të qenit i afërt me burime të sigurimit të Serbisë.
Të gjitha janë të mundshme, vetë transformimi i portalit Express është dëshmi për këtë. Por kjo në të njëjtën kohë e implikon edhe vetë Express-in. Është aq e thjeshtë, nëse ke propaganduar, promovuar, apo edhe motivuar qytetarët e Kosovës për të përkrahur një kriminel dhe një “shpiun” kjo doemos të implikon edhe ty.
Ajo që duhet theksuar këtu është se derisa Express nuk del të tregojë të gjitha “lidhjet” dhe “ndërlidhjet” e tij/saj me këtë “mafi” dhe “krim të organizuar” dhe “shpiunllëk”, Expressi është vetëm edhe një uzurpator i pushtetit, një manipulues i ulët i besimit të qytetarëve të Kosovës dhe një depersonalizim i tmerrshëm i të vërtetës, me qëllim të rritjes së pushteti të vet.
Express ka zgjedhur që pikërisht dy ditë para pavarësisë të publikojë dokumentarin denigrues në fjalë. Por pikërisht njeriu kryesor në Express ka qenë dhe ka pasur privilegjin, mbi të gjithë shqiptarët në këtë botë, të jetë më së afërmi procesit të shpalljes së pavarësisë, dhe pikërisht mundësuar nga Hashim Thaçi!
Ky mund të konsiderohet edhe haraç politik dhe i pushtetit i Express-it ndaj Hashim Thaçit. Haraç për vendosje të pushtetit. Dje pikërisht frika ime, për ta publikuar tekstin në emër timin flet për këtë pushtet të Express-it. Pikërisht skandali që do të publikohet nga Express për mua dhe pavarësisht se nuk di për ndonjë të bëmë të madhe timen dhe frika për t’u përballë me këtë Kimera të vetëdijes sonë kosovare, është haraçi më i madh dhe më i rrezikshëm i mundshëm, jo vetëm ndaj Thaqit por ndaj të gjithë neve. /lapsi.al/