Flash

Për çfarë vlen klithma e Blushit

Lapsi.al 8 February 2016
Për çfarë vlen klithma e Blushit

Ben Blushi i ka dorëzuar këtë të hënë grupit parlamentar të PS një dokument tejet serioz dhe të detajuar se ku Edi Rama po e shkel statutin e partisë së tij (në plot 14 pika), se ku ai po dhunon kushtetutën e vendit dhe se ku po anashkalon ligjin për organizatat politike.

Po të lexohet më vëmendje, letra e Blushit është drithëruese (lexo poshtë lajme, Lapsi.al) .

Mes rreshtave të saj vizatohet portreti i një njeriu që nuk ka respektin më të vogël as për ligjet dhe rregullat e përbashkëta, as për funksionimin normal të një force politike.

Po të shkohet më tej, “Kandidati” që profilizon Blushi është politikani që njohim prej 16 vjetësh. Administratori që pa pyetur askënd leu Tiranën me ngjyrën e shallvareve të tij, ashtu sikurse sot rimodeloi kryeministrinë, pa treguar se kush e ideoi dhe kush e financoi këtë projekt.

Po të vazhdohet me shqetësimet e Blushit për mosrespektimin e rregullave të garës, në mend na vjen njeriu që në vitin 2000 bëri deri në fund betejën për kryebashkiak, pa hequr asnjë ditë dorë nga posti i ministrit të Kulturës. Ai nuk riskoi veten në asnjë çast ashtu sikurse nuk guxoi, as në vitin 2009, kur krijoi precedentin e një force politike që nuk e përfshin kryetarin e saj në zgjedhje.

Po të thellohesh edhe më, kur Blushi flet për mungesën absolute të kolegjalitetit dhe shpërfilljen e instancave të PS-së, e ke të lehtë të kuptosh se pse tenderat dhe koncesionet u jepen miqve të Ramës dhe pse gara është zhdukur, jo vetëm në parti por edhe në vendimet flagrante të qeverisë.

Me pak fjalë, me anë të skanimit të problemeve që i ka bërë familjes së tij politike, Ben Blushi na ka sjellë edhe njëherë para syve profilin e njeriut që drejton sot vendin.

Por, beteja ku është futur Ben Blushi nuk është e rëndësishme vetëm për këtë. Ajo nuk i intereson masës të madhe të njerëzve vetëm për mënyrën arbitrare se si u ndryshua stema e socialistëve, se si u zhduk flamuri, grushti me trëndafil, e të tjera si këto.

Interesi i saj madhor është shqetësimi publik për degradimin drejt autoritarizmit të forcës deri tani më pak të prekur nga ky virus në Shqipëri.

Për zhbërjen e një partie si ajo, ku në vitin 1995, mocioni i Nanos mund të fitonte në kongres, megjithëse mbartësi i tij gjendej i izoluar në burgun e Berishës.

Të një partie që ka ofruar gara spektakolare si kongresi i vitit 1999, ku megjithëse kryeministër, Pandeli Majko humbi për pak vota.

Të një partie ku Ilir Meta, që sapo kishte fituar zgjedhjet (2001), mund të sfidohej si kryeministër dhe ku lëvizja për katharsis mund ta zhbënte pushtetin e tij butaforik.

Të një partie ku nuk ishte mëkat që vetë ky Edi Ramë të konkurronte me kryetarin historik (2003) duke hapur rrugën e sigurtë të trashëgimisë.

Ben Blushi sot po na kujton se kjo PS ka vdekur, bashkë me stemën dhe flamurin e saj të vjetër.

Dhe "vajtimi" i tij mbi kufomën e PS-së ka meritën të jetë edhe një klithmë alarmi për të gjithë shoqërinë.

Ja përse.

Deri tani, në këtë çerek shekulli, shoqëria shqiptare i ka gjetur ekuilibrat e saj duke alternuar dy modele: Atë autoritar të së djathtës të mbështetur mbi karizmën, autoritarizmin, sektarizmin dhe shpeshherë dhunën e demokratëve të Berishës dhe në anën tjetër, hapjen, tolerancën dhe liberalizmin e socialistëve të Nanos.

Shembulli më i mirë për këtë është ndryshimi i pushtetit në vitin 1997, ku u kalua nga një sistem me opozitarë dhe gazetarë të burgosur, pa protesta dhe mitingje, me piramida financiare dhe me një lider të vetëm, në pushtetin e socialistëve me TV dhe banka private, me media më të lira, me tre kryeministra dhe dy presidentë që i linin vendin njëri- tjetrit.

Kur ky sistem degradoi, për shkaqe krejt të ndryshme nga i pari, prej makutërisë dhe korrupsionit, shoqëria u kthye përsëri tek modeli i parë (2005), por këtë radhë më i zbutur edhe për shkak të eksperiencës nanoiste.

Pra shkurt, në 25 vjet, votuesit shqiptarë kishin gjetur një ekuilibër mes një modeli më të vrazhdë dhe autoritar që sendërzohej tek një person i vetëm dhe një tjetri me tolerant dhe liberal me një mori figurash.

Kur kupa mbushej në njërën anë, ajo balancohej nga ardhja në pushtet e palës tjetër.

Pikërisht për prishjen e këtij ekuilibri, Edi Rama është i rrezikshëm sot, më shumë se për gjithçka tjetër.

Duke e mbyllur PS-në, duke e identifikuar atë me veten, duke zbehur deri në zhbërje çdo personalitet të saj, ai jo vetëm po e çon këtë parti drejt një tipologjie berishiste, por ai po zhbalancon njëkohësisht edhe harmoninë që gjente krejt shoqëria në alternimin mes këtyre dy modeleve.

Duke e shndërruar PS në një parti të njëshit, Edi Rama po u heq shqiptarëve mundësinë e një zgjedhjeje reale.

Pikërisht për këtë, klithma e Blushit mbi kufomën e PS-së së vjetër, nuk është thjesht një problem i socialistëve. Ajo është një alarm për shoqërinë. /Lapsi.al/

Të këshilluara

Ku po dështon BE?

Neveria që aktualisht ndjejnë shumë britanikë ndaj BE-së, buron nga instinkti i duhur, por çon drejt një përgjigje të gabuar. Pa dyshim që Brukseli e shpërfill ...

14:33

Meta si pasqyrë e rrënimit të Ramës

Pasqyra që po i mban të fiksuar përballë fytyrës Ilir Meta, po e bën Edi Ramën të ngjajë më i pafuqishëm, më i lodhur, më i vjetër dhe më i telendisur se kurrë....

08:59

Blushi dhe socialistët lakuriq

Partia Socialiste, pasi ka kapërdirë turpin e heshtjes, tashmë po përjeton edhe paturpsinë e përdorimit për nevojat e ngushta...

07:50

Faqezijtë që janë kundër Blushit

Nuk ka si të mos sjellë trishtim fakti që pas dy dekadash e gjysmë nga ndërrimi i sistemit dhe krijimi i pluralizmit në Shqipëri, një eksponent i partisë më të ...

13:50

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

23°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI