Flash

Edi Rama, në peshkim të budallenjve në Kosovë

Lapsi.al 2 June 2015
Edi Rama, në peshkim të budallenjve në Kosovë

Përkundër llavës së pakontrolluar, unë pata refuzuar ta pranoj, si akt të lartë patriotik, spektaklin e dobët të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Beograd nëntorin e kaluar. Jo sepse nuk kishte tingëlluar mirë për veshët tanë ajo çfarë Rama kishte thënë në takim me Vuçiçin, por se isha i bindur se Kryeministri i Shqipërisë po aktronte. Ose thënë ndryshe, me gjuhën e Edi Ramës, ai kishte shkuar në Beograd për të peshkuar budallenj në Prishtinë.

Por të vërtetën, cullak, se çfarë vërtet mendon Edi Rama për Aleksander Vuçiçin, e kuptuam në të ashtuquajturin Samiti i Tiranës, ku dy kryeministrat po vetëpromovoheshin si liderët e ardhshëm të Ballkanit. Dhe në shërbim të kësaj qasjeje të re, ata u pajtuan që të deklaroheshin me njëri- tjetrin si "miq personalë".

Pra, në një hark kohor prej 7-8 muajsh, dy aktorët kryesorë të Ballkanit, Rama dhe Vuçiç, shënuan dy momentet e tyre. Fillimisht zënka në Beograd, e pastaj, siç rëndom ndodh me dashuritë e reja, pasoi romanca e Tiranës. Dhe e gjithë kjo, në prapavijë, e kishte gjoja "çështjen e Kosovës". Gjoja, zënka në Beograd ndodhi për çështjen e Kosovës dhe se tash, gjoja, romanca po ndodhte për hir të Kosovës dhe të Ballkanit.

Marrëzira.

Derisa Rama dhe Vuçiç po bënin plane për të ardhmen e tyre, plane të ndyta padyshim, raportet e Kosovës me Serbinë nuk kishin ndryshuar asgjë prej nëntorit të vitit të kaluar, kur Rama "lëshoi bombën në Beograd", e deri në maj, kur ndodhi pajtimi i madh i dy Kryeministrave. Ndoshta, madje, mund të konstatojmë se vetëm janë përkeqësuar raportet tona.

Kosova, aktualisht është e mbërthyer me shpatulla për muri nga komuniteti ndërkombëtar në të gjitha rrafshet. Aktualisht si shoqëri jemi duke kaluar nëpër procesin më të rëndë moral dhe kushtetues, siç është ai i themelimit të Gjykatës Speciale, e cila na detyron që të heqim dorë në mënyrë vullnetare nga një pjesë e sovranitetit tonë. E tepërt dhe e panevojshme të thuhet se prapa kësaj qëndron Vuçiç, miku më i ri i Ramës, ish miku më i mirë i Sllobodan Millosheviçit dhe Vojisllav Sheshelit. Ish përgjegjësi i të gjitha shërbimeve inteligjente serbe, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s.

Sigurisht se ne në Kosovë nuk jemi në pozitë t'ia përcaktojmë agjendën Kryeministrit Rama. Madje nuk është korrekte as t'i kërkojmë që të përmbahet nga emocionet kur takohet me Aleksander Vuçiçin. Ai atë mund ta ftojë edhe në familje, sepse është çështje private e tij. Mirëpo mund dhe duhet t'i kërkojmë të mos flasë për Kosovën, në cilësinë e gardianit të shqiptarëve. Sepse, nëse për asgjë tjetër, ne në Kosovë nuk besojmë që raportet e ndera me Serbinë, deri më tash, kishin qenë peng i mungesës së një miqësie të Kryeministrit shqiptar dhe atij serb. Kjo ka qenë dhe mbetet një çështje shumë më komplekse. Me gjasë Edi Rama, në mes të tjerash, është edhe krejtësisht naiv që ta kuptojë raportin e Kosovës me Serbinë. Që është raporti i kasapit me prenë e tij. Dhe Vuçiç, fjalëpërfjalshëm, është kasapi ynë.

Nuk do të kërkonte njëri të kishte një përkrahje nga Rama, e as prej asnjë Kryeministri të Shqipërisë, sikur ky i fundit të mos e kishte gojën plot me "Kosovë". Sigurisht as nuk do të lodhesha të shkruaj për të, sikur ky i fundit të mos na imponohej si Vëllai i Madh. 

E tillë ishte edhe paraqitja e tij e fundit në Prishtinë, në ceremoninë e zbulimit të bustit të Ismail Qemajlit. Ai mori pjesë në ceremoninë e një subjekti politik- Vetëvendosja- duke mos respektuar kurrfarë protokolli shtetëror. Askund nuk shiheshin flamujt e Kosovës. Askund nuk shihej shteti i Kosovës dhe institucionet e Kosovës. Në një formë tjetër, me një arrogancë të njëjtë, shtetin e Kosovës e përbuz sa herë vjen në Kosovë, edhe miku më i ri i Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç. Pra, në këtë rrafsh- atë të mos njohjes së Kosovës si subjekt- Rama dhe Vuçiç janë në një linjë perfekte.

Edi Rama duhet ta dijë, e ne duhet të lexojmë më shumë, se fatkeqësitë më të mëdha i kanë ndodhur vendit tonë, kur kryeministrat e Shqipërisë, ndër vite, duke tejkaluar Kosovën kishin ndërtuar "raporte të ngushta miqësie" me udhëheqësit serbë a jugosllavë. Të tilla raporte, sikur këto të Ramës me Vuçiçin, ishin edhe raportet e Ahmet Zogut me Nikolla Pashiqin, ato të Enver Hoxhës me Titon, si dhe Millosheviçit me Fatos Nanon. E tash së fundmi edhe këto të Ramës me Vuçiçin.

Në të tri këto raste, kur liderët shqiptarë dhe serbë putheshin me njëri- tjetrin, shqiptarët e Kosovës griheshin nga pala serbe. Rama duhet ta dijë se është e pakuptimtë ta konsiderojë veten mik me Vuçiçin, për sa kohë ky i fundit i urren dy milionë shqiptarë të tjerë. Kjo është veç një farsë. Është një shfaqje e dobët, e cila i shkon për shtat edhe Kryeministrit të Shqipërisë së vogël, i cili ka kohë që ndikimin e tij po e mat me hijen e mëngjesit. Më e pakta që mund të bënte Rama do të ishte që fatin e miqësisë së tij me Vuçiçin ta lidhte me raportet Kosovë- Serbi, progresin e tyre. Ose, nëse nuk mundet ta bëjë një gjë të tillë, të mos e zinte në gojë Kosovën. E posaçërisht të heqë dorë prej planeve për ndërtimin e autostradave Serbi- Shqipëri, duke mos e zënë fare në gojë territorin e Kosovës, ku supozohet të kalonte ajo rrugë. Apo ndoshta tash ai është pajtuar me qasjen e kamotshme serbe që për fatin e Kosovës duhet të bisedojnë me zyrtarët e Shqipërisë?

Me pak fjalë, ose me fjalët e Edi Ramës, ai aktualisht është duke peshkuar budallenj në Kosovë. Në njërën anë vjen në Prishtinë dhe e tund me sa fuqi që ka flamurin kombëtar, e në anën tjetër, duke anashkaluar Prishtinën, shpall miqësi të reja dhe të ngushta me Kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

/lapsi.al/

Të këshilluara

Sa vlen kafja me Dr Halimin?

Ndërkohë që kryeministri Rama shkon qytet më qytet dhe fshat më fshat për të treguar atë barcaletën e atij kryebash...

10:53

Isa Mustafa e shkroi fundin e tij

Javë më parë, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i mbushi 64 vjet. Skishte aspak dyshime që ai sërish do të zgjidhej në postin e preferuar të Kryetarit të LDK...

16:28

Nacionalizmi aguridh i Edi Ramës

Politika e jashtme, me inspirim “osman” për “zero-probleme” me fqinjët, e kopjuar për të treguar se "do t&eu...

15:17

Narcizi shëtit nëpër Ballkan

Ballkani është një vend nga ku duan të ikin të gjithë. Si çdo shtet ballkanik, edhe Shqipëria po kërkon të...

07:18

Burracakët që vranë pengjet në Kumanovë

Nëse del e vërtetë ajo që po dyshohet se forcat e sigurisë maqedonase i kanë ekzekutuar disa nga të dorëzuarit në Kumanovë, atëherë s’do mend se këtë shëmti do ...

13:42

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI