Duket se vetëm shqiptarët e Laçit do të jenë të akuzuarit për trukim të ndeshjes me Shtutgartin. Pas lajmit të publikuar nga tabloidi “Bild” ka reaguar Federata Gjermane e Futbollit. Sipas saj nuk ka të dhëna që në këtë histori të jetë përfhsirë klubi gjerman apo lojtarë të saj dhe se nuk është faji i tyre që shqiptarët “hapën portën” në fund të takimit. “Nuk e dija që ishte fjala për manipulim. Në fillim mendova që Laçi ishte thjesht shumë i dobët”, – tregon një nga gazetarët që pa nga afër takimin. Ndërsa trajneri i Stuttgart, Stevens, tha pas ndeshjes se në takimin e rradhës shpresonte të gjente një skuadër më të fortë. “Sot mund të kishim shënuar shumë më shumë” – tha ai.
Nga ana e tij, klubi gjerman ka reaguar me një deklaratë zyrtare, duke cituar fjalët e manaxherit të Ligës Gjermane të Futbollit, Andreas Rettig: “Sistemi i kontrollit të kompanisë së nënkontraktuar nga ne, Sportradar, ka vënë re për këtë ndeshje një sjellje jo normale në kompanitë e basteve dhe ndryshime të habitshme kuotash. Vfb Stuttgart, Federata Gjermane dhe prokuroria u njoftuan për një mundësi manipulimi të një ndeshjeje ndërkombëtare miqësore gjatë fazës përgatitore të Stuttgart në Portugali. Nuk ka asnjë dyshim mbi Stuttgart. Përkundrazi, nëse dyshimet për manipulim janë të vërteta, Stuttgart do të ishte viktima, pasi mori pjesë në një miqësore nën kushte të parregullta”, – tha Rettig.
Sportradar, që kontrollon tregun e basteve, tha se në këtë takim janë luajtur shuma të mëdha parash për një fitore të thellë të Stuttgartit. Tashmë ndaj Laçit mund të fillojnë hetimet dhe shqiptarët mund të rrezikojnë shumë.