Kush kishte dyshime se pas blerjes së ekipit të Parmës, në Seria A, qëndron Rezart Taçi, mjafton të shohë këto foto të publikuara nga lapsi.al. Në to shfaqet motra e tij, Anika, zëvendëspresidentja e Taçi Oil, e fotografuar në ambientet e klubit. Mediat italiane shkruajnë se pasi ka drekuar dhe është njohur me shumicën e lojëtarëve të Parmës, Anika Taçi është mbyllur në zyrat e qendrës sportive Collecchio, të Parmës për të analizuar dokumentacionin dhe për t’u kujdesur për bilancet dhe llogaritë. “Administrimi u është besuar njerëzve të biznesmenit të naftës, i cili, përmes të motrës po e merr në pronësi Parmën gradualisht”, shkruajnë mediat në Itali.
E gjithë kjo po ndodh ndërkohë që Pietro Leonardi, drejtori teknik i klubit, po punon me njerëzit e Taçit për t’i dhënë trajnerit Donadoni atë që kërkon prej kohësh: dhënien borxh të dy mesfushorëve, një aksion që pritet vetëm të finalizohet pasi të interesuar janë Milani e Lazio.
Pasi të kenë analizuar llogaritë, njerëzit e biznesmenit të naftës (Taçit) pritet të japin dritën jeshile për të zgjedhur drejtuesit e rinj të Parmës. Kjo, vetëm në rast se nuk ndodh ndonjë tërheqje e papritur.
Në mesin e gjithë kësaj, në qendrën sportive në Collecchio shihet Anika Taçi. Një xhiro për të kontrolluar gjithçka, për të njohur ambientin dhe për t’u familjarizuar, që sipas mediave italiane i paraprin zyrtarizimit të Rezat Taçit si president i klubit të Parmës.
Mbi 66 përqind të aksioneve të Parmës u blenë nga kompania “Dastraso Holdings Ltd”. Mediat italiane shkruajnë se drejtor i saj është Petrit Doka, siç rezulton edhe në një dokument të publikuar prej tyre. Ai është një argjendar shqiptar i lidhur ngushtë me Rezart Taçin.

Gazeta “Il Mattino di Parma” shkruante pak ditë më parë se Petrit Doka refuzoi të merrte postin e presidentit të Parmës. Kjo, ndoshta për faktin se në këtë post pritet të zyrtarizohet Rezart Taçi.
Kompania italiane që drejton Doka u krijua më 7 nëntor 2014. Gazeta e Parmës shkruan se kjo do të thotë që kompania në fjalë u ndërtua vetëm me qëllimin për të blerë klubin e Parmës, që një muaj më parë.
Në dokumentet e publikuar nga kjo gazetë nuk janë emrat e investitorëve të tjerë të kompanisë kompanie, por thuhet se “Dastraso Holdings Ltd” është një grup investimi ruso-qipriot, që mendohet të jetë themeluar nga Rezart Taçi. “Il Mattino di Parma” e jepte të sigurtë përfshirjen e Taçit në operacionin e blerjes së Parmës, pasi ai rezulton të ketë marrëdhënie tregtare si në Rusi, ashtu edhe në Qipro, është klient i presidentit të përkohshëm të Parmës, Fabio Xhordano dhe ka partner biznesi argjendarin Petrit Doka.


