Gilman Lika do të jetë përforcimi i parë i Tiranës në këtë merkato dimërore. Sipas burimeve të sigurta pranë gazetës, mesfushori shkodran është larguar me konsensus nga Flamurtari dhe nuk do të jetë më pjesë e skuadrës vlonjate në vazhdim. Në këtë gjendje, Gilman Lika nuk ka tashmë asnjë pengesë për të kaluar te bardheblutë, duke u rikthyer kështu në skuadrën që më parë ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Tirana kishte kohë që ishte në kërkim të një mesfushori të majtë dhe duket se me alternativën e Likës, tashmë, edhe ky pozicion është siguruar. Lojtari pritet që në ditët në vazhdim të nënshkruajë kontratën dhe të bjerë dakord me drejtuesit e klubit kryeqytetas dhe më pas të dalë në stërvitje nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani. Gilman Lika ka zhvilluar një numër jo të lartë ndeshjesh me Flamurtarin, sidomos gjatë fazës së dytë të kampionatit, për shkak të një dëmtimi të pësuar, ndërsa tani është rikuperuar plotësisht.
MUZAKA- Kur duket se Tirana ka siguruar shërbimet e Gilman Likës, një tjetër emër që është pranë bardhebluve është edhe Gjergji Muzaka. Por situata për mesfushorin tiranas është disi më e komplikuar, pasi ai nuk ka rënë ende dakord me drejtuesit e Flamurtarit për ndërprerjen e kontratës që e mban lidhur me skuadrën vlonjate. Megjithatë, krerët e klubit bardheblu janë duke vëzhguar me vëmendje situatën e Muzakës dhe në rast se ai do të bjerë dakord për t’u larguar nga Flamurtari, atëherë, Tirana do të hidhej sërish në sulm për ta afruar gjatë kësaj merkatoje. Kështu, pritet me interes edhe “pista” e mesfushorit të djathtë, i cili me shumë mundësi do të jetë pjesë e bardhebluve në përfundim të muajit janar./SportEkspress/