Presidenti i FShF Armando Duka menjëherë pas vendimit të Apelit foli për një kompromis që i kishin ofruar serbët për të riluajtur ndeshjen, por që ishte hedhur poshtë nga pala shqiptare. Pikërisht këtë kanë konfirmuar për mediat serbe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS) që kanë pranuar se i kanë propozuar Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) që ta përsërisin ndeshjen e 14 tetorit. Kurse, pas këtij refuzimi mediat serbe i kanë quajtur shqiptarët kokëfortë dhe frikacakë.
“Komisioni Apelit nuk e ndryshoi vendimin e Komisionit të Disiplinës për ndeshjen Serbi-Shqipëri, e cila ishte ndërprerë pas hyrjes së huliganëve serbë në fushë. Por, para mbledhjes së tij, të dy vendet kishin mundësi të arrinin një marrëveshje për përsëritjen e ndeshjes, por drejtuesit e Federatës së Futbollit të Shqipërisë e refuzuan këtë ide” raporton e përditshmja serbe, Kurir, që ka mbetur e befasuar me vendimin e palës shqiptare, të cilët i quan kokëfortë. Kurse, sekretari i FSS-s, Zoran Lakovic, rrëfen se si FSHF nuk pranoi që ndeshja të përsëritet.
“Ishte një propozim që ishte me pëlqimin dhe miratimin e UEFA-s para fillimit të seancës. Por, ne nuk arritëm marrëveshje që ta zhvillojmë një ndeshje të re pasi shqiptarët nuk duan të luajn”, ka deklaruar Lakoviç për Kurir. Zv presidenti i federatës Serbe nuk ka sqaruar saktësisht propozimin e tij. A duhej luajturi sipas tij ndeshja përsëri në Beograd, nëse po a duhej luajtur me tifozë apo pa tifozë, apo ajo duhej luajtur në një fushë asnjëanëse. Por gjithsesi është e vështirë të mendohet se presidenti Duka do ta pranonte një kompromis të tillë. Ai do të qe një risk i madh personal për të. Mendoni sikur Shqipëria të pranonte rilante ndeshjen dhe ta humbte atë, se cilat do te qenë reagimet për këtë vendim të Dukës. Më shumë sesa një zgjedhje futbollistike, ai ka bërë një zgjedhje politike.
Drejtuesit e FSHF-s kanë paralajmëruar se do të kërkojnë drejtësi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Kurse, të njëjtën gjë pritet ta bëjë edhe FSS, vetëm që të shitet si e pafajshme.