Komisioni i Apelit i UEFA, vendosi sot që të lërë në fuqi vendimin e parë për ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë, e ndërprerë në minutë e '41. Federata serbe kishte kërkuar që të vazhdonte ndeshja aty ku ishte ndërprerë, ndërsa pala shqiptare kërkoi t'i jepej fitorja në tavolinë pasi serbët nuk arritën të garantonin zhvillimin normal të ndeshjes. Lojtarët shqiptarë u goditën fizikisht dhe u vunë nën një presion të jashtëzakonshëm për të mundur të vazhdonin lojën. Para syve të gjithë botës, u pa se çfarë ndodhi në stadiumin e Beogradit, ku koret raciste u shoqëruan me futjen e huliganëve në fushën e lojës.
Vendim i sotëm erdhi pasi komisioni shqyrtoi ankesat e Federatës Shqiptare dhe asaj serbe, te cilat të dyja kundërshtuan vendimin e që UEFA kishte marrë rreth një muaj më parë për ndeshjen Serbi- Shqipëri. UEFA pati dënuar të dyja ekipet me nga 100 mijë euro gjobë, Serbisë i hoqi tre pikë, ndërsa Shqipërinë e ndëshkoi për mosdalje në fushë pas ndërprerjes së lojës duke i dhënë fitoren serbëve në tavolinë 3-0.
Pas Komisionit të UEFA, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka tha për lapsi.al se janë të pakënaqur edhe me vendimin e sotëm të Komisionit të Apelit dhe se do ta ndjekin çështjen në një shkallë më të lartë, në arbitrazh.
Ky është vendimi i plotë i Komisionit të Apelit të UEFA-s:
“Komisioni i Apelit u mblodh sot, pas apeleve të bëra nga Federata e Futbollit të Shqipërisë dhe Federata e Futbollit të Serbisë kundër vendimeve të marra nga Komiteti i Kontrollit, Etikës dhe Dispilinës i UEFA-s (CEDB) më 23 tetor në lidhje me disa incidente që ndodhën në kuadër të ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Evropian në Grupin I mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila u luajt në Beograd me 14 tetor.
Apeli i FSHF-së është refuzuar. Vendimi origjinal i CEDB kësisoj mbetet në fuqi. Komisioni i Apelit të UEFA-s ka vendosur ta konfirmojë ndeshjen e lart-përmendur si ‘konfiskim’ (të humbur për Shqipërinë). Për pasojë, FSHF e ka humbur ndeshjen 3:0. Gjithashtu, FSHF është dënuar me 100 mijë euro.
Apeli i FSS-së gjithashtu është refuzuar. Si pasojë e kësaj, vendimi origjinal i CEDB mbetet në fuqi. Komisioni i Apelit të UEFA-s ka vendosur ta konfirmoj marrjen e tre pikëve nga FSS për këto kualifikime për Kampionatin Evropian. Gjithashtu, FSS është urdhëruar që t’i zhvillojë dy ndeshjet e radhës në garat e UEFA-s si vendase me dyer të mbyllura. Për fund, federata është dënuar me 100 mijë euro”.