Mediat serbe njoftojnë se pas mosplotësimit të kërkesave të Federatës Serbe të Futbollit nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit tifozët shqiptarë nuk do të lejohen të kalojnë kufirin për të ndjekur në stadium takimin mes dy kombëtareve të futbollit. “Alo.rs”, një nga agjencitë serbe më të angazhuara me këtë çështje ditët e fundit citon Komisionerin për Sigurinë në Federatën Serbe të Futbollit Milivoj Mirkov: “Tashmë është përfundimtare: tifozët shqiptarë do të ndalohen të përcjellin ndeshjen e kombëtares së tyre me Serbinë! Ajo që është lënë të kuptohet ka marrë konfirmimin zyrtar. Për fat të mirë, tifozët nga Shqipëria nuk do të lejohen të hyjnë në Serbi për kualifikuesen e Kampionatit Evropian, i cili do të luhet më 14 tetor në stadiumin e Partizanit të Beogradit!”
Mirkov thotë se vendimi në fjalë së shpejti do të jetë në formë të shkruar dhe do t’i dërgohet zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Ne patëm sot një takim me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, ku bëmë me dije qëndrimin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila nuk dëshiron të përmbushë obligimin ligjor të shtetit të Serbisë, duke identifikuar me emër, mbiemër dhe numër pasaporte çdo bartës të biletave (ato janë 1125 copë për tifozët shqiptarë). Pala shqiptare tha nëpërmjet një deklarate se heq dorë në mënyrë të qartë nga përgjegjësia për tifozët e vet. Prandaj, është e qartë se nuk mund të garantohet në këtë mënyrë siguria e tifozëve të Shqipërisë, por as të Serbisë në një ndeshje të tillë. Edhe pse Ministria e Brendshme e merr vendimin përfundimtar, unë besoj se Federata Shqiptare e Futbollit tani duhet të informojë tifozët e vet që nuk mund të lëvizin drejt Beogradit më 14 tetor, sepse do të ndalen në kufi në këto rrethana. Ata do të parandalohen të hyjnë në territorin e Serbisë. Në të njëjtën kohë, ne do të kërkojmë që Federata Shqiptare e Futbollit të na japë përsëri 1 125 biletat që i përcollëm asaj më herët, duke shpresuar se do të përmbushë kërkesën më minimale për organizimin e të tilla ndeshjeve “komplekse”, – tha për “Alo.rs” Milijov Mirkov./lapsi.al/