Flash

Arrestimi i Fullanit: nuk fitoi Davidi, por Goliathi

Lapsi.al 8 September 2014
Arrestimi i Fullanit: nuk fitoi Davidi, por Goliathi

A ka lindur një sistem tjetër me arrestimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani? Një sistem drejtësie, politike, të menduari dhe të reaguari. Një përgjigje me ‘Po’ e ‘Jo’ e bën arbitraritetin normë, por edhe një qëndrim i midistë nuk është se shpjegon gjë. Shumë megjithatë ngulmojnë se gjërat, më në fund, ndryshuan në këtë vend, duke parë tek arrestimi i Guvernatorit një rënie, qoftë edhe të pjesshme të elitave që komandojnë në Shqipëri.
Ky mëtim do të na e mjegullonte pamjen. Fullani, nuk është sot në paraburgim si sinonim i papërgjegjshmërisë, korrupsionit apo hajdutërisë. Sepse, ndër të dyshuarit e mëdhenj në këto punë, ai është më pak i papërgjegjshmi, më pak i korruptuari, më pak hajduti. Fullani u dëshmua naiv apo i papërgjegjshëm, kur nuk kuptoi se në diçka duhet lëshuar. Dhe ishte pikërisht ai që duhej ta bënte këtë lëshim. Ose sistemi do të lëshonte pikërisht atë për të mbrojtur veten.
Arrestimi i Guvernatorit mund të jetë një flijim që u bëhet ‘zotave popullorë’ dhe mesazhi i kësaj therorie mund të shkojë në dy kahe. I pari, mund të marrë drejtimin e frikës: mos e bëni, ruhuni, dorëhiquni se do e pësoni si Fullani! I dyti, mund të shkojë kah: ia hodhëm zemëratës popullore një kockë të madhe! Tani turma do të vetëkënaqet me këtë ‘triumf’ të saj. Kjo na jep fushë të lirë edhe për një dekadë tjetër, gjatë së cilës si ne dhe koha do të përgatisim flinë e re për shpagimin e turmave.
Sigurisht këta janë dy skenarë të hamendësuar, por fakt është se Fullani ra në humnerën e ‘kryengritjes popullore’. Ndër të tjera edhe për shkak se kjo humnerë ishte bosh dhe nga zgripi i saj kishin shpëtuar për një fije njerëz me poste më të rëndësishme e me të pabëra më të mëdha. Fullani, si me thënë, pagoi dëmshpërblimin e sistemit pjesë e të cilit qe dhe po ky sistem e shtyu drejt besimit të rrejshëm se mund të qëndronte; që të qëndronte; që të mos jepej; se gjithçka do të kalonte. ‘Tri ditët e çudisë që birret’ për Fullanin zgjatën edhe më shumë dhe rënia e tij u farkëtua edhe në iluzionin që mbështetësit e vet i krijuan.
Populli, m’anë tjetër është ndoshta i kënaqur, por ka marrë shumë më pak se sa i takon një triumfi të madh. Davidi nuk e ka mundur Goliathin kësaj here. Goliathi, duhet thënë, i ka punuar një rreng Davidit. Për këtë antitriumf nuk do të ketë asnjë skulpturë dhe asnjë mit nuk do ta shpjegojë këtë gjysmëfitore.
Këtë dikotomi e shpjegon edhe linja e qëndrimeve pas arrestim. Populli në facebook hidhej pupthi në gëzimin e një rënieje ku ai kish marrë pjesë, ndërsa politika në tv e gazeta shërbente klishenë e durimit prometean për fjalën e fundit që e thotë gjithmonë drejtësia. Në mes nuk gjendej asnjë mekanizëm mendimi. Një ngadalësim i nevojshëm për të menduar, siç thotë një filozof.
Adrian Fullani sigurisht mund t’ia kishte kursyer vetes dhe linçuesve të tij këtë lojë të mbështjellë me leskrat e një farse. Kur shihje të birin tek dilte nga një makinë modeste, me një qese gjithashtu ‘popullore’, pa shumë pretendime, ku kishte barna, tesha e ushqime për të atin, e kuptoje se cikli qe mbyllur dhe bashkë me të trajektorja e hipokrizisë.
Nuk ka vend për gëzim të lig. Siç nuk ka vend as për thirrje për përmbysje të sistemit. Ndoshta populli e do sistemin të tillë, por ai nuk fal dot ata që e lënë popullin (të tjerët e vegjël) të vjedhë, ndërkohë që nalton me vota ata (të tjerët e mëdhenj) që vjedhin vetë.
Ironia e fundit: hajdutët, dorasit e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë ishin ‘të popullit’. Sërish, Fullani nuk duhej ta linte popullin ta rrëzonte. Një dorëheqje e tij do kish qenë një veprim prej elitari. Jashtë sistemit. Kjo pamundësi e tij i dha rrethimin në të cilin është aktualisht.

Të këshilluara

Dhjetë vjet mbrapa me LSI-në

(www.lapsi.al) - Pashë sot në mëngjes numrin e gazetës "Integrimi" të LSI-së që festonte dhjetë vjetorin e kri...

12:03

Vetëvrasja e së majtës

Qysh në fillim të Republikës së V-të, e majta në Francë ka kaluar shumë fatkeqësi, ka pësuar shumë disfat...

10:00

Varka po fut përsëri ujë

Vetëm pak muaj më parë udhëheqësit e Eurozonës besonin se, pasi kishin përballuar stuhinë, më në fund po lundr...

16:38

Lejet absurde të Bashës

  Bashkia e Tiranës, që për shumicën do të thotë Lulzim Basha, por edhe Partia Demokratike në opozitë, ka dh...

09:37

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI