Flash

Një rival modern për Ataturkun

Lapsi.al 13 August 2014
Një rival modern për Ataturkun

Pak përpara se autokolona ku udhëtonte Rexhep Taip Erdogani hynte në aeroport, punëtorët mblodhën me shpejtësi tapetin e kuq që ishte përdorur për presidentin që largohej, dhe shtruan menjëherë një tjetër, ngjyrë të bruztë, për Erdoganin.
E bruzta ka qenë ngjyra kryesore e Perandorisë Otomane, dhe preferenca që ka Erdogani për të është një simbol i mprehtë, por shumë domethënës, i ambicieve të tij teksa bënte fushatë për t’u bërë president – duke i rënë kryq e tërthor vendit në një përpjekje për të zgjeruar hijen e tij në jetën politike të Turqisë dhe për t’u bërë, siç e thonë shumë prej kritikëve të tij, një sulltan i kohëve moderne.
Për herë të parë në histori, turqit kanë votuar për presidentin e tyre, një pozicion që në letër është kryesisht ceremonial. Me përfundimin e fushatës, çdo ndjesi rëndësie historike u eklipsua prej një ndjesie bindjeje totale: Erdogani pritej të fitonte, dhe pritet po kështu që ta udhëheqë vendin prej pallatit presidencial.
“Po të shohësh Kushtetutën, nuk ka asnjë nen që të kufizojë veprimet e presidentit”, deklaroi Erdogani në një intervistë të kohëve të fundit, në avionin e tij që po rikthehej në Ankara, kryeqytetin e Turqisë, nga një ndalesë për fushatën në Mersin, një qytet-port në brigjet e Mesdheut. “Emëron presidentin si kryetar shteti, dhe kaq”.
Vendosmëria e Erdoganit për ta udhëhequr vendin që nga presidenca, pavarësisht kufizimeve të pushtetit të postit, ka ngjallur krahasimet me Vladimir Putinin, i cili ka dominuar politikën e Rusisë në kohë të ndryshme, si kryeministër dhe si president.
Duke kandiduar për president, Erdogani po shpreson të sigurojë një trashëgimi shumë më të madhe, edhe se ajo e themeluesit të nderuar të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturkut. Erdogani, tashmë në pushtet prej më shumë se një dekade, shpreson të qëndrojë në krye të shtetit turk edhe për 10 vite, dhe të jetë ai udhëheqësi në 100-vjetorin e Republikës Turke, në vitin 2023.
Për mirë a për keq, ai ka lënë një gjurmë në jetën publike të Turqisë, pothuajse po aq të madhe sa ajo e Ataturkut. Erdogani ka shmangur ushtrinë duke mos e lejuar të ketë rol në politikë, dhe ka thyer tabutë e kahershme laike duke lejuar më shumë liri të shprehjes fetare, si për shembull mbajtja e shamive në kolegje dhe në parlament. Ai ka arritur një popullaritet shumë të madh mes bazës së tij fetare konservatore, me një politikë që bashkon besimin fetar dhe luftën e klasave, dhe politikat e tij ekonomike kanë përmirësuar jetët e shumë prej atyre që ndiheshin si qytetarë të dorës së dytë në sistemin e vjetër laik të Turqisë. “Ai e bëri Turqinë një vend me prestigj, me vetëbesim”, thotë Nuri Guven, 34 vjeç, teksa brohoret për Erdoganin në mitingun e Mersinit. Në atë miting, duke mbajtur grushtin lart në ajër, Erdogani u tha mbështetësve të tij: “Allahu na mjafton, populli na mjafton, Turqia na mjafton”.
Erdogani i ka dhënë Turqisë një rol më aktiv në Lindjen e Mesme, duke e paraqitur vendin e tij, me ekonominë në rritje dhe përzierjen e kredencialeve islamikë dhe demokratikë, si një model për një botë arabe në trazirë. Por, në praktikë ai ka shumë pak suksese politikë për t’u lëvduar. Mbështetja e Turqisë për Vëllazërinë Myslimane në Egjipt mori fund kur Mohamed Morsi u rrëzua nga posti i presidentit verën e kaluar, dhe qindra prej mbështetësve të tij u vranë.
Erdogani ishte një mbështetës i hershëm i rebelëve sirianë që luftonin kundër presidentit Bashar al Assad, një politikë që tashmë duket si llogari e gabuar, pasi shumë analistë dhe fuqi të huaja akuzojnë pjesërisht Turqinë për forcimin e Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë (ISIS). Politika turke e kufijve të dobët, thonë analistët, lejoi ISIS-in që të lulëzonte dhe të dërgonte njerëz dhe armë në Siri.
Turqia, një vend anëtar i NATO-s, ka qenë prej kohësh një aleat strategjik i SHBA. Në fillimin e revolucioneve arabë në vitin 2011, Presidenti Obama zhvilloi një marrëdhënie të ngushtë personale me Erdoganin, duke e parë Turqinë si një model për t’u ndjekur nga vendet e mbërthyer prej revolucioneve.
Por marrëdhënia është dëmtuar shumë kohët e fundit, për shkak të dallimeve në qëndrime për Egjiptin dhe Sirinë. Ajo mori një tjetër goditje, kur Erdogani la të kuptohet se ka një komplot ku përfshihet edhe SHBA, prapa një hetimi të gjerë për korrupsion që vuri në shënjestër atë vetë dhe rrethin e tij më të ngushtë. Erdogani ka akuzuar ndjekësit e Fetullah Gulenit, një klerik shumë popullor në mërgim në SHBA, mbështetësit e tij kanë poste në sistemin policor dhe gjyqësor të Turqisë, për hetimin e korrupsionit dhe ka kërkuar që SHBA të ekstradojnë Gulenin.
Sot, Erdogani nuk flet më direkt me Obamën, siç ka thënë vetë.
“Përse SHBA qëndroi në heshtje, kur Morsi i zgjedhur me votë popullore u rrëzua përmes një grushti ushtarak?” tha Erdogani në intervistë. “Përse heshti Perëndimi? Dhe kështu, ata na kërkuan edhe ne që të heshtim. Kur ne e quajtëm një grusht ushtarak shteti, ata na vështruan në mënyrën e gabuar, dhe kështu marrëdhëniet u prenë. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të themi të njëjtën gjë”.
Sundimi i Erdoganit e ka polarizuar shoqërinë turke. Publiku është i ndarë pothuajse përgjysmë mes atyre që e mbështesin Erdoganin dhe partinë e tij, dhe të tjerët që e urrejnë, për atë që e shohin një sundim autoritar. Megjithatë, edhe kundërshtarët e tij janë të përçarë, mes nacionalistëve, atyre që janë besnikë ndaj parimeve laikë të Ataturkut, dhe turqve urbanë, më liberalë që ishin edhe shtylla e një lëvizje proteste që tronditi rrugët e Stambollit dhe qyteteve të tjerë verën e vitit që kaloi.
Megjithatë, shumë gjëra janë në lojë për politikën turke. Si president, pritet që Erdogani të tërheqë më shumë pushtet nga një zyrë e cila tradicionalisht i është nënshtruar kryeministrit. Me shumë gjasa ai do të kërkojë ndryshime kushtetuese për të krijuar një sistem presidencial të pushtetshëm, dhe ndërkohë që i kërkohet me ligj të presë lidhjet me partinë e tij, shumë pak besojnë që do ta bëjë.
Një pyetje e hapur është se kush do ta zërë vendin e kryeministrit. Analistët thonë se, që Erdogani të udhëheqë i qetë nga presidenca, ai do të duhet të vendosë një figurë të bindur të partisë si kryetar të parlamentit.

Të këshilluara

Erdogan, sulltani i ri i Turqisë

Nuk është aspak një surprizë, opozita ishte aq e dobët dhe zgjedhjet po aq të paracaktuara: Rexhep Taip Erdogan, i fitoi që n...

20:08

Një akt i guximshëm i Bashës

Për shumëkënd që ndjek politikën, asocimi i emrit të Lulzim Bashës me epitetin i guximshëm, do të shkaktonte humor....

14:05

Udhërrëfyes për leximet verore

Ka do vite që sapo vjen pragu i verës botuesit nxitojnë, nxjerrin kokën në dritare televizorësh dhe tregojnë librat e rinj t&...

10:09

Pushteti në rritje i LSI

Të ashtuquajtuarit rebelë brenda grupit të PS u kthyen në vathë. Këtë javë ata nuk do të kenë asnjë dit&e...

08:14

Ramazani si pengese per turizmin patriotik

E pёrsёrim prej vitesh se industria e turizmit mund tё ishte njё sektor i rёndёsishёm i ekonomisё kombёtare. Unё nuk e di se ccfarё fshihet pas kёtij konstat...

10:36

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI