Flash

Partia e Fortë e Edi Ramës

Lapsi.al 23 July 2014
Partia e Fortë e Edi Ramës

Opozita lodhet më kot duke numëruar ditët kur kryeministri Edi Rama do të dalë të distancohet apo të dënojë veprimet e dhunshme të disa deputetëve të tij. Ai nuk do ta bëjë këtë. Një kryeministër normal do të tronditej nga akte të tilla, pavarësisht se nga cili kamp janë autorët, dhe sigurisht që jo vetëm nuk do të pajtohej por do të kërkonte largimin e tyre nga grupi parlamentar i forcës që ai përfaqëson. Nëse një deputeti mandatin ia japin votuesit, politikisht çdo kryeministër apo kryetar partie nuk mund të justifikohet duke heshtur për aktet e dhunshme, edhe nëse pushteti i tij do të varej nga një votë e vetme.

Por kryetari i Partisë Socialiste nuk është ky rast. Ai nuk ndërmori politikisht asnjë veprim sepse nuk është aspak i befasuar nga ajo që ndodhi. Jo vetëm sepse ishte një fenomen i përsëritur, por sepse në thelb, partia- hibrid që ai ka shartuar këto vite, ka marrë gjithnjë e më shumë trajtat e një partie të fortë. Nevoja për vota nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, ankthi i pashpjegueshëm i Ramës që kërkon të ketë pranë vetes individë të fortë që duket se i japin qetësi, kanë ngjizur një forcë politike pothuajse krejtësisht pa identitet. Një konglomerat ku gjenden ende duke vegjetuar të majtë të mbetur nga kohët e hershme, të djathtë e ish të persekutuar të konvertuar në socialistë, biznesmenë, servilë të bindur e individë rastësorë që interesi i ka çuar në portat e PS. Këtij grupimi, të vetmen ngjyrë që Edi Rama mundi t’i japë në këto nëntë vite që ai e drejton, është agresiviteti. Asgjë tjetër. Karakteri i dhunshëm, kërcënues, bojkotues dhe provokues dominuan vitet e fundit të opozitës së PS duke ia humbur vlerat e ideve, moderacionit, tolerancës dhe dialogut që e bënte të ndryshme këtë parti nga rivalja e saj historike, PD. Nëse PD ishte kthyer dikur në simbol të agresivitetit dhe politikës së dhunshme, PS dallohej pikërisht nga e kundërta. Vetëm fakti i sjelljes politike të qytetëruar ishte i mjaftueshëm për një numër të madh njerëzish që të votonin PS. Me Edi Ramën, Partia Socialiste u shndërrua në një parti të fortë. Kriza e tij për të forcuar lidershipin dhe problemet personale, e çuan PS drejt radikalizmit dhe politikës së urrejtjes, ku zëri i arsyes shkoi drejt shuarjes. Ky transformim me siguri që ndikoi tek elektorati i majtë, i cili nuk e votoi si shumicë PS e Edi Ramës as në 2009 e as në 2013.

Mirëpo falë kësaj mënyre të të bërit politikë, Edi Rama arriti të zgjidhej kryeministër, ndaj edhe nuk duke se ka ndërmend ta ndryshojë atë. Heshtja e tij sot nuk është për shkak se kërkon “të mbrojë të vetët”, por t’i frymëzojë ata. Nëse Rama do të distancohej nga një apo disa deputetë, ai do të distancohej në të njëjtën kohë nga vetë fryma e tij që ka mbjellë në PS. Dhe kësisoj do të krijonte hapësirë për ata që kanë arsyen si mjet për të bërë politikë, që mendojnë edhe ndryshe, që debatojnë dhe vlerësojnë alternativat politike. Këta individë Edi Ramën e shqetësojnë, ia prishin gjumin dhe i rikthejnë krizën e kompleksit të lidershipit. Prandaj ai nuk ka ndërmend të dënojë veprimet e dhunshme. Prandaj ai do të vazhdojë edhe vitin e dytë, edhe të tretë... të qeverisjes të bërtasë kundër Sali Berishës, të provokojë në parlament dhe ta mbajë të ndezur konfliktin politik me çdo mjet. Prandaj do të përdorë gjuhë më të keqe se ajo e rrugës pas shpinës së kundërshtarit, që ta dëgjojnë të vetët dhe ta gjejnë motivimin tek agresiviteti dhe jo tek normaliteti. Prandaj si kryeminstër do të flasë për shembje dhe tritol, duke vënë në plan të parë tensionimin dhe jo qetësimin, për të cilin vendi ka aq shumë nevojë.

Të gjitha këto i duhen për ta dominuar një grupim politik me frymën e një partie të fortë, ku qytetaria dhe arsyeja të struken vetvetiu. Është vërtet e habitshme se si për hir të pushtetit një njeri mund të pësojë një metamorfozë të tillë. Edi Rama, dikur vetë viktimë e dhunës së egër, sot e gjeneron atë me veprimet e mosveprimet e tij. Ndoshta mendon se mund ta përdorë këtë frymë dhe këta individë deri sa të konsolidojë një pushtet absolut e më pas me dinakëri t’u bishtnojë e t’i braktisë. Do ta ketë me siguri të vështirë. Nuk është çudi që nëse e tenton, Rama ta shohë veten si viktimë të asaj që vetë ka prodhuar.

(MAPO)

Të këshilluara

Dy rrugët e vetme të Putinit

Rrëzimi i avionit malajzian në lindje të Ukrainës i ka acaruar së tepërmi marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndim...

08:47

Urrejtja maqedonase

Dy qenie të pafajshme, nënë e bijë nga Shqipëria, nuk kanë mundur të besojnë se ka ende mbetje të civilizimit bashk...

10:08

Imazhe me pluhur

Jolka Nathanaili më tregoi, në Tiranë, për një dokumentar të Radio-Televizionit Zviceran, Le défi albanais, të re...

12:05

Nje propozim per reformen ne drejtesi

Jo, sipas meje drejtësia nuk vjen dot nga pushtetarët e radhës. Rrugët për të forcuar Drejtësinë duhet të jenë të tjera dhe duhen kërkuar ndryshe. Dhe në kërkim...

15:30

Humbja e privacisë

Një prej problemeve të kohës sonë, që (po të nisesh nga çfarë thotë shtypi) ka obsesionuar nga pak të gjith&...

15:10

Një aleat i padobishëm

Lindja e Mesme është në flakë. Sipas saj, marshimi i shpejtë i shtetit islamik të Irakut dhe Levantit nga Siria në Irak ka tr...

16:17

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

23°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI