Flash

Libri i Blushit, letërsi nga ekzili

Lapsi.al 7 April 2014
Libri i Blushit, letërsi nga ekzili

Kur e pyetën kryetarin e Donacioneve Kombëtare për Artet në Amerikë se në ç’kuptim ishte përdorur në raportet e tyre termi letërsi, ai u përgjigj: ‘në kuptimin e gjerë të fjalës, dmth çdo lloj libri për leximin e të cilit njerëzve nuk është dashur t’u vihet pistoleta në zverk’. 

Në këtë kuptim libri i fundit i Ben Blushit është letërsi. Ai kalohet si një kollajllëk i rrafshtë, dmth nuk të shtie në mendime, edhe pse mund të shkaktojë zhurmë në qarqe të ndryshme për shkak të disa provokimeve të gjuajtura në tekst.

Autori i librit mund të lëvdohet megjithatë për guximin. Jo për atë fizik, por për atë profetik. 100 vite largpamësi mund të jenë fare mirë një shekull shkurtpamësi. Siç mund edhe të mos kenë fare rëndësi duke qenë se autori, bashkë me bashkëkohësit, kur t’i vijë koha përmbushjes apo jo të profecive të tij, do të jenë në botën tjetër. (In the long term we are all dead after all).

Guximi i autorit Ben Blushi vjen edhe për atë se teksti duket më shumë si instinkt sesa si interpretim autoriteti. Që do të thotë, është më shumë përzierje e shqisave të gazetarit, politikanit dhe shkrimtarit sesa imponim pune e kredencialesh që vijnë nga katedrat.

Në shqipe, i vetmi mjet dhe masë krahasimi me librin e Blushit, zhanrin deri diku, është ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet’ i Sami Frashërit. Pa iu futur vënies në peshë të autorëve, që në pamje të parë, mes të dyve shpaloset një kontrast. Nëse Frashërjoti i famshëm zgjedh të shohë Shqipërinë e së ardhmes nëpërmjet edhe të shkuarës, (ç’ka qenë) edhe të së tashmes, (ç’është) Blushi merret shumë pak me të tashmen dhe kryesisht/plotësisht me të ardhmen. Ai nuk e interpreton të ardhmen nëpërmjet së shkuarës. Merret, pothuajse ekskluzivisht, me të ardhmen e Shqipërisë në 100 vjet. Një premisë fantastike abuzimi kjo.

‘Hëna e Shqipërisë’ e hap siparin duke prezantuar Durrësin e pas 100 viteve, i cili në fakt nuk është më. Ngrohja globale e ka marrë me vete duke e varrosur në barkun e detit Adriatik. Me të janë zhdukur edhe kodrat e buta që dikur e ndanin nga Tirana. Kryeqyteti tashmë është edhe bregdetar. Autori bazohet në këtë parashikim te një alarm i amplifikuar i së majtës internacionale, së cilës autori amerikan George Will i është përgjigjur me një koment në Washington Post: ‘ka 50 vjet që dëgjoj për apokalipsin’. Por, nuk është këtu relativiteti i kësaj teze. Njerëzimi është duke i tejkonsumuar burimet e veta, por është gjithashtu në kërkim të alternativave. Nëse, siç parashikohet, shkenca zbulon energjinë e pastër, duke i dhënë fund varësisë dhe përdorimit të lëndëve fosile, Durrësi do të jetë mbi ujë edhe për nipërit e Blushit.

Libri pushon së qeni letërsi kur flet për islamin politik, më saktë trajtat që do të marrë ai në Shqipëri gjatë dekadave të ardhshme. Kjo shkëputje nga fiction-i ndodh për atë se autori është mbështetur te lexime të së tashmes duke e projektuar të ardhmen mbi to. Por edhe nga një kontekst botëror që e gjen dhe e parasheh në ekspansion islamin politik.

Vetë libri është megjithatë një tekst politik. Jo vetëm se trajton skenarë që kanë të bëjnë kryesisht me politiken, por edhe se vjen si reagim politik. Nëse shqyrton datat kur Ben Blushi politikan vendos të bëhet Ben Blushi autor, vëren se përkojnë me muaj impasi politik të tij. Dmth ai shkruan kundër harresës. Sa herë që kryetari i partisë së tij, Rama, përpiqet ta çojë drejt saj. Edhe ‘Hëna e Shqipërisë’ një tekst i tillë është: një libër nga ekzili politik.

Të këshilluara

Unë nuk jam mik i Erdoganit

Përtej tamburëve me tingëllim ottoman, përtej deklaratave shokuese se Kosova qënkësh Turqi, përtej ndryshimit të beftë të doktrinave për të gjetur partner të ri...

10:48

Letër me ke çu...

Që kur ajo gruaja socialiste e Beratit ishte e gatshme të rrinte pa bukë vetëm t’i shihte bashkë Nanon me Metën, madje m&eum...

09:10

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet protesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI